2007-11-23 17:49:19

Sanksione serbe ndaj Kosovës në rastin e pavarësisë së njëanshme


(23.11.2007 RV)Serbia do të vendosë sanksione ekonomike ndaj Kosovës, nëse Prishtina do të shpallë pavarësinë. Deklarata është bërë sot nga ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç në një intervistë për radion ruse Ekho Moskvy. Pavarësisht se nuk dha detaje, deklarata e Jeremiçit përkon katërcipërisht me mbledhjen e djeshme të qeverisë së Beogradit, në të cilën u është dhënë urdhër ministrave, të përfundojnë brenda 7 ditëve të ardhshme, të ashtuquajturat “plane aksioni” për të mbrojtur të drejtat e serbëve dhe të jo shqiptarëve në Kosovë, në rastin e shpalljes së pavarësisë. Edhe ky është një skenar i menduar më parë, për të cilin publiku nuk është njoftuar ende.
Ndërkaq, ndërmjetësuesi rus në Treshen e negociatorëve ndërkombëtarë për statusin e Kosovës, Aleksandër Bocan Harçenko ka deklaruar për një gazetë të Beogradit, se 10 dhjetori është dita e përfundimit të mandatit për Treshen, por jo për kërkimin e një kompromisi ndërmjet serbëve dhe kosovarëve. Megjithëse ai pranon se Kosova është një problem evropian, thekson se juridikisht, nuk mund të anashkalohet Këshilli i Sigurimit të OKB-së në marrjen e vendimit për të ardhmen e vendit. E sot nga Parisi, Përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme evropiane, Havier Solana deklaroi se shpreson akoma në një marrëveshje serbo-kosovare. Takimi i ardhshëm do të bëhet më 26 nëntor në Baden të Austrisë, por si zakonisht, prej tij nuk pritet ndonjë gjë e re.








All the contents on this site are copyrighted ©.