2007-11-23 18:03:09

Papa dhe kardinajtë u mblodhën sot për të reflektuar mbi dialogun ekumenik, në prag të Koncistorit për krijimin 23 kardinajve të rinj, që do të kremtohet nesër.


(23.11.2007 RV)Në prag të Koncistorit për krijimin e 23 kardinajve të rinj, që do të kremtohet nesër, Papa dhe anëtarët e Kolegjit Kardinalor u mblodhën sot në Sallën e re të Sinodit në Vatikan, për t’u lutur e për të reflektuar së bashku. Në qendër të reflektimit ishte dialogu ekumenik.
Dita e reflektimit nisi në orën 9. 30 me Liturgjinë e Orës së Tretë. Më pas Benedikti XVI përshëndeti kardinajtë e pranishëm. Ndërsa punimet e mirëfillta filluan me një referat të kryetarit të Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, kardinalit Valter Kasper, me temë: “Informacione, reflektime e vlerësime aktuale mbi dialogun ekumenik”.
Pas pushimit të drekës, takimi rifilloi në orën 17. 00 me kremtimin e Lutjeve Mbrëmësore. Pasi kardinajtë shkëmbyen idetë e tyre lidhur me jetën në Kishë, Dita e reflektimit u mbyll me një fjalim të Atit të Shenjtë.
Ndërsa nesër, në orën 10. 30, në Bazilikën e Vatikanit, Benedikti XVI do të mbajë Koncistorin e tij të dytë për krijimin e 23 kardinajve të rinj, nga të cilët 18 janë me të drejtë zgjedhore. E pikërisht sot, duke mbushur 80 vjet, kardinali Sodano kalon në grupin që nuk ka të drejtë zgjedhore për arsye moshe. E po sot mbushi 75 vjet edhe kardinali Renato Martini, kryetar i Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes.
Të dielën, 25 nëntor, Solemniteti i Zoti tonë Jezu Krishtit, Mbret i Gjithësisë, në orën 10. 30, në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa do të kryesojë bashkëkremtimin e Meshës Shenjte me kardinajtë e rinj, të cilëve do t’u dorëzojë Unazën kardinalore.Me Koncistorin e nesërm, numri i përgjithshëm i kardinajve arrin në 201, nga të cilët 120 me të drejtë zgjedhore, sipas kufirit të moshës, caktuar nga Pali VI. Kardinajtë përfaqësojnë 69 vende të ndryshme të botës, shenjë kjo e universalitetit të Kishës. Vendi që ka përfaqësi më të madhe në Kolegjin Kardinalor është Italia, me 21 kardinaj, e pasuar nga SHBA me 14. Përsa i përket kontinenteve, Evropa përfaqësohet me 104 kardinaj; Amerika me 54, Azia me 21, Afrika me 18 e Oqeania me 4 kardinaj.







All the contents on this site are copyrighted ©.