2007-11-23 18:13:00

'Me shpresën shpëtuam'.


(23.11.2007 RV)RealAudioMP3 Të premten e ardhshme më 30 nëntor, do të publikohet Enciklika II e Benediktit XVI. Titullohet “Spe salvi” që do të thotë ‘ 'Me shpresën shpëtuam'. Dokumenti papnor do të paraqitet në Sallën e Shtypit të Vatikanit në orën 11. 30 nga kardinali Zhorzh Kotje, teolog nderi i Shtëpisë Papnore, dhe nga kardinali Albert Vanhoj, profesor nderi i ekzegjezës së Besëlidhjes së Re pranë Institutit Papnor Biblik. Fillimisht teksti i Enciklikës do të publikohet në tetë gjuhët kryesore të botës: latinisht, italisht, frëngjisht, anglisht, gjermanisht, spanjisht, portugalisht e polonisht.
Gati dy vjet pas Enciklikës mbi Dashurinë, ‘Deus caritas est”, tani Benedikti XVI na ofron enciklikën mbi Shpresën. “Krishti është shpresë për botën – ka nënvizuar shpesh Papa – sepse u ngjall, e u ngjall, sepse është Hy”. Kjo shpresë na bën të fortë – na kujton Ati i Shenjtë - e prandaj nuk duhet të kemi frikë nga provat të cilat, sado të dhimbshme e të rënda të jenë, nuk munden kurrë ta cënojnë gëzimin e thellë, që buron nga vetëdija se Hyji na do. Natyrisht kjo nuk e përjashton misterin e madh të së keqes, të vdekjes: në botë ka shumë padrejtësi, dhunë, dhimbje. E vetë Zoti nuk na e shpjegoi ndryshe këtë mister, veçse me vdekjen në kryq e me ngjalljen e tij:
Përmes plagëve të Krishtit të ngjallur mund t’i shikojmë me sytë e shpresës këto të këqija që mundojnë njerëzimin. Duke u ngjallur, Zoti nuk e zhduku të keqen, as vuajtjen nga bota, por fitoi mbi ta rrënjësisht me begatinë e Hirit të tij. Prepotencës të së keqes iu kundërvu me gjithpushtetin e dashurisë. Na tregoi se në rrugën e paqes e të gëzimit mund të ecet vetëm me Dashurinë që nuk ka frikë nga vdekja”(Nga Mesazhi i Pashkëve: 8 prill 2007).
Ne të krishterët jemi të thirrur ta çojmë shpresën në botë, por, - pohon Papa – duhet që secili nga ne ta jetojë fenë e vet:
“Atëhere duhet bërë një përpjekje e madhe dhe e gjërë, që çdo i krishterë ‘të shndërrohet në dëshmitar të aftë e të gatshëm për t’i dhënë përgjigje gjthsecilit që kërkon arsyen e shpresës, e cila është në ne” (cfr 1 Pt 3, 15). Prandaj duhet kumtuar përsëri, me zell e gëzim, vdekja dhe ngjallja e Krishtit, që është zemër e krishterimit, pikëmbështetje e fesë sonë, levë e fuqishme e sigurive tona, erë e vrullshme, që fshin çdo frikë e mëdyshje, çdo dyshim e llogari njerëzore. Vetëm nga Hyji mund të vijë ndryshimi vendimtar i botës (Homelia në Stadiumin komunal të Veronës – 19 tetor 2006).







All the contents on this site are copyrighted ©.