2007-11-22 17:59:16

Papa takohet me FAO-n: ‘Thirrje e re e fuqishme për zhdukjen e urisë dhe për zhvillimin e gjithanshëm të njeriut’.


(22.11.2007 RV)RealAudioMP3 Edhe një herë Benedikti XVI ngriti fuqimisht zërin për të mbrojtur njerëzit më të ligshtë e, sidomos, ata që vuajnë nga shkandulli i urisë. Shfrytëzoi për këtë audiencën e sotme me pjesëmarrësit e sesionit të 34-t të Konferencës së përgjithshme të FAO-s, agjensisë së OKB-së për Ushqimin e Bujqësinë. Papa i ftoi të gjithë njerëzit vullnetmirë të bashkëpunojnë për të zhdukur urinë e për të siguruar një paqe të drejtë e të qëndrueshme, bazuar mbi dinjitetin e patjetërsueshëm të njeriut.
“The time has come to ensure, for the sake of peace…"
“Është koha që, për të mirën e paqes, të krijojmë kushtet që asnjë burrë, grua a fëmijë të mos vuajë më nga uria” – bëri thirrje Benedikti XVI i cili, në fjalimin drejtuar punonjësve të FAO-s, uroi që motoja e kësaj organizate , fiat panis –‘le të bëhet buka’ – të jetë edhe zemra e Ungjillit, që duhet të shpallë Kisha. Familja njerëzore – vijoi Papa – duhet të gjejë mjetet e strategjitë për t’i dhënë fund konflikteve të shkaktuara nga ndryshimet shoqërore, nga rivalitetet etnike e nga pabarazia e thellë në nivelet e progresit ekonomik.
Mankind is thirsting for true and lasting peace…”
“Njerëzimi – vijoi Papa – ka etje për paqe të vërtetë e të qëndrueshme, që mund të sigurohet vetëm në se si nënshtetasit, ashtu edhe qeveritarët, do të kenë parasysh në radhë parë, parimin e drejtësisë, që bazohet pikërisht mbi përkatësinë universale të pasurive të gjithësisë. Progresi teknik – shpjegoi Ati i Shenjtë – ndonëse shumë i rëndësishëm, nuk është gjithçka. Në përpjekjen për progres, duhet pasur parasysh se pasuria më e madhe është njeriu. Më pas Papa nënvizoi rolin e fesë, që mund të japë një kontribut të ndjeshëm, posaçërisht përmes edukimit të mendjeve e të zemrave. Selia e Shenjtë – theksoi Benedikti XVI – ka mbështetur fuqimisht çdo përpjekje për të çliruar njerëzimin nga zija e bukës dhe nga mungesa e ushqimit, e vetëdijshme se për t’i zgjidhur këto probleme nuk mjaftojnë mjetet teknike të stërholluara, të cilat nuk mund ta zëvendësojnë frymën e vërtetë të bashkëpunimit të të gjithë njerëzve vullnetmirë. Ky impenjim – vijoi Ati i Shenjtë – kërkon njohjen e dinjitetit të rrënjosur thellë tek njeriu, në çdo stinë të jetës së tij.
All forms of discrimination…”
Të gjitha format e diskriminimit – vërejti Benedikti XVI – posaçërisht ato që e nënvleftësojnë zhvillimin e bujqësisë, duhen luftuar, sepse shkelin të drejtën themelore që ka çdo njeri për të siguruar bukën e përditshme. Këto përpjekje – vijoi të nënvizonte Papa – janë edhe më urgjente sot, në kohën tonë, kur jetojmë paradoksin e përhapjes së varfërisë, në një botë që ka grumbulluar pasuri të pashembullta, si ekonomike, ashtu edhe shkencore e teknologjike. Nganjëherë – vërejti me hidhërim Papa – pengesat, luftërat, epidemitë, fatkeqësitë natyrore, janë aq të mëdha, sa mund ta bëjnë njeriun ta humbasë fare besimin në një botë më të mirë. Ndërsa pikërisht këto vështirësi duhet të na nxisin edhe më tepër, që t’i dyfishojmë përpjekjet në betejën për t’i siguruar bukën e përditshme çdo njeriu. Kisha – ripohoi Papa – është e bindur se rrugëzgjidhjet teknike më efikase duhen shoqëruar gjithnjë me programe që kanë në qendër të vëmendjes vlerat themelore, të cilat burojnë nga dinjiteti i patjetërsueshëm i njeriut.
The united effort of international community…”
Për të zhdukur urinë e për të siguruar zhvillimin e vërtetë – tha në përfundim Shenjtëria e Tij – duhet të impenjohet mbarë bashkësia ndërkombëtare, e cila duhet të krijojë strukturat që sigurojnë vlerësimin e drejtë të burimeve për përballimin e një sërë situatash. Lufta kundër urisë kërkon kontributin e të gjithë anëtarëve të shoqërisë: të individëve, organizatave vullnetare, qeverive, me frymën e bashkëpunimit e të vullnetit të mirë për t’i ndarë së bashku burimet tenike e profesionale.
Në përfundim Benedikti XVI kujtoi rolin dhe rezultatet e arritura nga FAO në luftën kundër urisë, duke uruar që Organizata e OKB-së të vijojë me sukses ecjen në të njëjtën rrugë edhe në të ardhmen.







All the contents on this site are copyrighted ©.