(22.11.2007 RV)Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi, pasi deklaroi dje se akoma
nuk kishte firmosur asgjë për fatin e kryeprokurorit Theodhori Sollaku, nënshkroi
sot vendimin për largimin e tij nga detyra e propozoi kandidaturën e re, gjyqtaren
nga Durrësi, Ina Rama. Shkarkimi i kryeprokurorit është shoqëruar me debate të
ashpra në parlament, ku opozita nuk ka pranuar të votojë. Përsa i përket 34 vjeçares
Ina Rama, ajo është aktualisht gjykatëse e Gjykatës së Apelit për Krimet e rënda.
Vlora vazhdon protestën kundër ndërtimit të një termocentrali dhe të Petroliferës.
Këshilli i Rregullimit të Territorit dhe kryetari i bashkisë, Shpëtim Gjika kanë bllokuar
lejen e ndërtimit, për të respektuar vullnetin e qytetarëve dhe të Këshillit Bashkiak,
të cilët duan që çështja të zgjidhet me referendum. Ndërkaq, sipas parashikimit, n
ë Vlorë do të ndërtohen një seri veprash, prej të cilave më të rëndësishmet janë pa
dyshim Termocentrali dhe rigazifikatori, por sidomos lidhja energjitike dhe gazsjellësi
që do të bashkojë Shqipërinë me Italinë. Mesa duket pushtetarët e Tiranës e kanë konsideruar
shifrën prej miliarda eurosh, që sillet rreth këtij projekti, më të rëndësishme se
rikualifimi turistik i bregdetit të Vlorës. Nuk duhet harruar, se Bashkimi Evropian
parashikon një diskutim publik të projekteve të tilla me përfshirjen e gjithë popullsisë
së interesuar, si edhe studimit e impaktit ambiental.