2007-11-22 17:58:48

Bashkimi Evropian përgatitet të zëvendësojë UNMIK-un në Kosovë


(22.11.2007 RV)Çështja e Kosovës u disktua sot në Moskë në takimin ndërmjet ministrit të jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe homologut të tij serb, Vuk Jeremiç. Rusia shpreh sërish qëndrimin e saj të njohur mbi negociatat serbo-kosovare, sipas të cilit rezultati duhet të jetë i pranueshëm për të dyja palët dhe duhet të bazohet mbi të drejtën ndërkombëtare.
Të njëjtën dëshirë për kompromis mes palëve e shprehu edhe komisari evropian për zgjerimin, Olli Ren, i cili foli para Këshillit të Jashtëm të parlamentit evropian. Por, me qartësinë e pragmatistit, ai theksoi se deri tani nuk shihen hapa drejt një marrëveshjeje të mundshme. "Kosova është çështja e fundit e hapur në Ballkan, prandaj i kemi dhënë Beogradit porosinë e qartë të mos e ndërlikojë situatën", theksoi Ren.
Ndërkaq, pavarësisht se bisedimet nuk kanë përfunduar, Bashkimi Evropian përgatitet të zërë vendin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Edhe nëse kjo nuk do të bëhet nën ombrellën e një rezolute të OKB-së, për shkak të vetos së Rusisë, avokatët e Brukselit mendojnë se gjithçka është e mundur me një ftesë të autoriteteve kosovare dhe të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, në kuadrin e rezolutës ekzistuese 1244. Një skuadër funksionarësh evropianë po përgatisin tashmë mirëseardhjen e krejt stafit në ndërtesën e xhamtë, të ngritur për këtë qëllim mbi Prishtinë. Një dyzinë makinash Tojota po zëvendësojnë pak nga pak makinat 4x4 të OKB-së. E Brukseli ka shpallur konkurs për 1.400 policë.







All the contents on this site are copyrighted ©.