2007-11-22 18:00:17

Atë Gjergj Guxeta në përvjetorin e 251-të të vdekjes - e albanologu Mateo Bartoli, në 134-vjetorin e lindjes.


(22.11.2007 RV)Nuk mund të flasim për shkrimtarët klerikë që mbajtën gjallë gjuhën e kulturën e të parëve ndër arbëreshët e Sicelisë, pa përmendur së pari Atë Gjergj Guxetën, themeluesin e Seminarit greko- shqiptar të Palermos, ku u përgatiten meshtarët, atdhetarët e shkrimtarët më të njohur arbëresh të Sicelisë.
Është Atë Guzzetta (1682 - 1756) ai që hodhi themelet e ndërtesës së kulturës arbëreshe, ku do të ruheshin të paprekura gjuha dhe traditat shqiptare në Siceli. Në shkollën e tij qe edukuar pothuajse e gjithë inteligjencia e kolonive të ishullit me një frymë që pajtohej plotësisht me trashëgiminë fetare e kulturore të Atdheut të etërve.
Seminari palermitan u bë farka e poetëve të ardhshëm, që çuan më tej traditat e krijuara nga paraardhësit e Atë Guxetës. Këta paraardhës e patën filluar shumë shpejt ndër seminaret e dioqezave latine edukimin e meshtarëve të rinj, me kulturë të gjërë humaniste dhe me njohuri të thella në liturgjinë bizantine.
 
Ndërkohë prifti shqiptar nga Sicelia, Gjergj Guxeta, me shkrimet e veta ngrinte zërin në mbrojtje të Kombit shqiptar dhe siguronte mjetet për themelimin e Seminarit të Palermos, që do të bëhej një nga vatrat kryesore të kulturës dhe të atdhetarizmit shqiptar, çerdhe e një plejade shkrimtarësh e poetësh të shquar, të gjithë katolikë.
Emri i Atë Gjergj Guxetës na sjell menjëherë në mendje edhe zbulimin e ‘Mesharit’. Kujtojmë se kopja e vetme e Mesharit të Buzukut, ardhur deri në ditët tona, u zbulua rastësisht më 1740 në bibliotekën e Kolegjit të Propaganda Fides prej Gjon Nikollë Kazazit (1702-1752) nga Gjakova kur, si Argjipeshkëv i Shkupit, ishte për vizitë në Romë. Pas këtij zbulimi, Imzot Kazazi kumtoi se kishte gjetur "një meshar të lashtë shqiptar të rrëgjuar nga koha". Kazazi bëri një kopje fragmentesh të tekstit e ia dërgoi Gjergj Guxetës. Dihet se në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë libri bënte pjesë në koleksionin e pasur të kardinalit Stefan Borxhia, që më vonë përfundoi në Bibliotekën e Vatikanit. Pas shumë vitesh harrimi, Meshari u nxor në dritë nga imzot Pal Skiroi (Paolo Schirò, 1866-1941).

Përkujtojmë ditëlindjen e 134-të të gjuhëtarit italian Mateo Bartoli.
Mateo Bartoli lindi më 22 nëntor 1873 në Albona, vdiq më 23 janar 1946 në Torino. Pasi u diplomua në universitetin e Vjenës, gjuhëtari i njohur italian punoi si profesor i gjuhësisë në Universitetin e Torinos. Atje vijoi të jepte mësim nga viti 1908 deri në vdekje. Profesor Bartoli, i ndikuar nga mësuesi i tij Majer-Lybke, u interesua për dialektologjinë italiane e posaçërisht për dialektin dalmat, që e çoi në takim me shqipen. U bë i njohur për teorinë e gjeografisë gjuhësore, që pasqyrohet edhe në veprat e tij kryesore: “Dalmatishtja (1906): “Hyrje në gjuhësinë e re” (1945); Shkurtore e gjuhësisë së re” (1925); “Në portat lindore të Italisë. Dialekte e gjuhë në Venecia-Gjulia” (1945).
E kujtojmë sot sepse Mateo Bartoli, ashtu si dhe mësuesi i tij Lybke, u muar me gjuhën shqipe. Profesori italian punoi për krijimin e një atlasi gjuhësor të shqipes, duke u radhitur kështu ndërmjet albanologëve të njohur që pasuruan studimet për gjuhën shqipe.

 







All the contents on this site are copyrighted ©.