2007-11-21 17:53:31

Në audiencën e përgjithshme, kushtuar murgut siriak Afraate, Benedikti XVI bëri thirrje për solidaritet me Somalinë.


(21.11.2007 RV)RealAudioMP3 Sot, në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Benedikti XVI bëri thirrje për kapërcimin e krizës shoqërore dhe humanitare, për shkak të së cilës Somalia po jeton ditë të vështira, dhe i ftoi besimtarët ta duan njëri-tjetrin me dashuri të sinqertë, që lind nga feja e Krishtit. Katekizmin Papa ia kushtoi Kishave të krishtera siriake të shekullit IV e, posaçërisht, përvojës së një murgu të kësaj epoke, Afraates, që mbeti në histori me epitetin ‘i Urti’.
Agjërim i fjalëve të kota, për t’i krijuar hapësirën e duhur fjalëve të lutjes, që e bën njeriun ta hapë zemrën për dashurinë e sinqertë të krishterë. Ky është mësimi që na jep murgu i urtë, Afraate, i cili jetoi 1700 vjet më parë në trojet e Irakut të sotëm, të cilin Benedikti XVI e kujtoi në fillim të audiencës së përgjithshme. E ky mësim lidhet ngushtë me thirrjen për solidaritet, që mbylli takimin e Papës me 13 mijë besimtarët, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit. Kjo thirrje i tërhoqi bashkësisë ndërkombëtare vëmendjen mbi një nga krizat e harruara të Afrikës, atë të Somalisë, prej nga – nënvizoi Benedikti XVI – arrijnë lajme shqetësuese, që flasin për një situatë të pasigurtë humanitare, e posaçërisht mbi Mogadishon, zonë që vijon të ndjehet gjithnjë më e varfër e më e pasigurtë.
Ndjek me ankth zhvillimin e ngjarjeve e u bëj thirrje të gjithë atyre që kanë përgjegjësi politike, në nivel lokal e ndërkombëtar, të përpiqen për të gjetur rrugëzgjidhje paqësore, që t’i jepet fund vuajtjeve të kësaj popullsie të dashur. Inkurajoj edhe përpjekjet e atyre që, ndonëse në një atmosferë pasigurie e vështirësish, vijojnë të punojnë në këtë zonë për të ndihmuar e për t’i lehtësuar sadopak vuajtet e banorëve”.
Për të krishterin, solidariteti është fryt i një zemre që e do të afërmin sipas urdhërit të Jezusit. Feja e dashuria janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën - e Benedikti XVI e kujtoi këtë lidhje me fjalët e murgut Afraate, bir i Kishave të krishtera siriake të shekujve të parë, që nuk ishin nën ndikimin e botës greke, por vijonin të lidheshin e t’i qëndronin besnike traditës judeo-kristiane. E kjo edhe për shkakun se gjuha e tradita e këtyre bashkësive kishin origjinë semitike, të njëjtë me hebraishten e Biblës ose me aramajken, gjuhën e Jezusit:
Shpesh tek Afraate jeta e krishterë paraqitet në përmasën e qartë asketike e shpirtërore: feja është baza, themeli; ajo e bën njeriun tempull në të cilin banon vetë Krishti. Nga feja lind dashuria e sinqertë, dashuria për Hyjin e për të afërmin”.
Në shkrimet e murgut Afraate – vijoi Papa – trajtohen temat më kryesore të jetës së krishterë: lutja, që – siç thotë ai – realizohet kur Krishti banon në zemrën e të krishterit – por edhe tema e dashurisë, e fesë, e agjërimit, e trupit njerëzor, bukurinë e të cilit asketi e vlerëson shumë. Ndërmjet gjithë këtyre temave, një vend të rëndësishëm zë ajo e përvujtërisë, e cila për murgun është virtyti më i lartë:
Për Afraaten, jeta e krishterë përqëndrohet në përpjekjen për t’i përngjarë Krishtit, për të marrë mbi vete kryqin e tij e për ta ndjekur në rrugën e Ungjillit. Një nga virtytet që i ka më shumë hije dishepullit të Krishtit, është përvujtëria. Nuk është një aspekt i dorës së dytë në jetën shpirtërore të të krishterit: natyra e njeriut është e përvujtë e është Zoti ai që e larton në lumninë e tij (…) Duke qenë i përvujtë edhe në realietin tokësor në të cilin jeton, i krishteri mund të hyjë në lidhje me Zotin”.
Kështu u shpreh Benedikti XVI në përfundim të katekizmit, për të vijuar më pas me përshëndetjet e zakonshme në gjuhë të ndryshme, drejtuar grupeve të shtegtarëve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit.







All the contents on this site are copyrighted ©.