2007-11-21 17:39:48

Kriza dramatike në Somali: emërohet kryeministri i ri


(21.11.2007 RV)Në Somali, Nur Ade, 70 vjeç, ish-kolonel i policisë dhe president i Gjysëmhënës së Kuqe ndërkombëtare, u emërua zyrtarisht kryeministër nga presidenti i Republikës. Ndërkaq, në vend, vazhdojnë luftimet ndërmjet integralistëve islamikë dhe trupave qeveritare e etiope. Ata që paguajnë çmimin më të lartë janë pa dyshim civilët. Sipas Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, të zhvendosurit e brendshëm kanë arritur shifrën 1 milion. 60% e popullsisë së Mogadishos është larguar nga qyteti, ndërsa gjendja humanitare bëhet gjithnjë e më dramatike.


Në klimën e tensionit të krijuar në Liban pas shtyrjes së zgjedhjes së presidentit për të premten, ministri i mbrojtjes urdhëroi pezullimin e të gjitha lejeve për mbajtjen e armëve. Është hera e katërt brenda një muaji, që parlamenti i Bejrutit nuk mbërrin të mblidhet për të zgjedhur presidentin, për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet mazhorancës dhe opozitës. Nesër, do të shkojnë në Liban ministrat e jashtëm të Italisë, Spanjës dhe Francës, në përpjekjen për të ndihmuar politikën libaneze të dalë nga situata.


Sapo u kthye nga Arabia Saudite, presidenti i Pakistanit, Pervez Musharraf ashpërsoi edhe më tej gjendjen e emergjencës, të shpallur më 3 nëntor. Me anë të një dekreti, ndalon që gjendja e emergjencës të vihet në diskutim para ndonjë gjyqi apo çdo lloj selie tjetër. E njëjta gjë, për masat që janë marrë pas deklarimit të emergjencës. Ndërkaq, mësohet se gjatë vizitës së tij në Islamabad, i dërguari amerikan Xhon Negroponte është takuar tre herë me gjeneralin Ashfak Kijani, të cilin Uashingtoni do të donte ta shihte president ose kryeministër, dhe vetëm një herë me Musharrafin.







All the contents on this site are copyrighted ©.