2007-11-20 17:38:52

Serbia: për Kosovën të përdoret modeli i ishujve finlandeze Aland


(20.11.2007 RV)U zhvilluan sot në Bruksel bisedimet e radhës serbo-kosovare me praninë e Treshes së negociatorëve ndërkombëtarë. Ndërsa shqiptarët, me anë të Hashim Thaçit, konfirmuan opcionin e tyre për pavarësi, pavarësisht se do të presin që SHBA-të dhe Bashkimi Evropian të bien dakord për këtë, serbët sollën një propozim tjetër. Kësaj radhe, modeli është marrë nga ishujt finlandeze Aland. Qytetarët e këtyre ishujve i qëndrojnë besnikë Finlandës, por gëzojnë autonomi të plotë nga qeveria qendrore. Arqipelagu i Alandit përbëhet nga 6.500 ishuj në Gjirin e Botnias, ndërmjet Finlandës dhe Suedisë, me rreth 27 mijë banorë. Ata flasin suedisht e në vitin 1920 patën kërkuar pavarësinë e plotë nga Finlanda, por e atëhershmja Shoqëri e Kombeve u dha vetëm autonominë e plotë.
Sipas ministrit të jashtëm serb, Vuk Jeremiç do të ishte mirë të arrihej një marrëveshje brenda 10 dhjetorit, por në rast të kundërt, duhen vazhduar bisedimet. Prononcohet sërish edhe Rusia, dy ditë para vizitës së vetë Jeremiçit në Moskë. Kremlini dëshiron që të përjashtohen sinjalet që lejojnë "sovranizimin" e Kosovës në procesin e përcaktimit të statusit të saj dhe përsërit se realizimi i skenarëve për "vetëshpalljen e pavarësisë do të provokonte një spirale të re dhune në Ballkan".
Nga Mesebergu i Gjermanisë, ku janë takuar sot, kryeministri italian Romano Prodi dhe kancelarja gjermane Angela Merkel kanë deklaruar se zgjidhja për statusin e Kosovës duhet të jetë sa më e harmonishme dhe paqësore. Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, duhet të merren vesh ndërmjet tyre për përkrahjen e opcionit përfundimtar. Nga mbledhja e ministrave të jashtëm evropian, dje në Bruksel, doli se 20 nga 27 vendet e Bashkimit Evropian mbështesin pavarësinë e Kosovës.








All the contents on this site are copyrighted ©.