2007-11-20 16:14:50

Kisha katolike përkujtoi Shën Oktavin.


(20.11.2007 RV)Pak gjëra të sigurta dimë për Shenjtin që përkujtohet sot. Falë shkrimeve të ipeshkvit të parë të Torinos, Shën Maksimit, dihet me siguri vetëm se Shën Oktavi, së bashku me Shën Solutorin e Shën Aventorin jetuan dhe u martirizuan rreth shekullit III. Gojëdhënat e mëvonshme i paraqesin si ushtarë të legjionit mitik të Tebesë dhe tregojnë se Oktavi e Aventori u mbytën në Valdoko të Torinos, ndërsa Solutori ia doli mbanesh të ikte në Kanaveze. Por aty u kap rishtas e iu pre koka në brigjet e lumit Dora Baltea.
Martiriologu Romak, kalendar zyrtar i Kishës universale, i përkujton me 20 nëntor, në përvjetorin e vdekjes, ndërsa dioqeza e Torinos ua kremton festën më 20 janar, ditën kur trupat e tyre u mbartën në Kishën e tre Shenjtorëve martirë.
Në Kodikët e komunës së Torinos gjejmë një ikonografi të pasur kushtuar Shën Oktavit, Shën Solutorit e Shën Aventorit, pajtorë të lashtë të qytetit, të cilët paraqiten me simbolet e martirëve e të ushtarëve tebei.
Fragment i predikimit n. 12 të Shën Maksimit të Torinos, kushtuar martirizimit të shenjtorëve martirë:“Martiri nuk vuan vetëm për vete, por edhe për bashkëqytetarët. Duke u munduar, për vete fiton çmimin, bashkëqytetarëve u jep shembullin; për vete fiton pushimin e pasosur, për bashkëqytetarë, shëlbimin. Nga shembulli i martirëve mësojmë të kërkojmë jetën e pasosur, të mos kemi kurrfarë frike nga poshtërimet e persekutimet, ngado që të na vijnë e të mos trembemi as përballë vdekjes. Ja pra ç’thesar na lanë trashëgim martirët: njëri vuan, që të shpëtojë tjetri; njeri duron xhelatin, që tjetri të njohë Krishtin; njëri vdes, që tjetri të fitojë jetën e pasosur; shenjti mbytet, që të çlirohet mëkatari. Martirët nuk jetuan as nuk vdiqën për vetvete! Nuk jetojnë as nuk vdesin për vetvete!”







All the contents on this site are copyrighted ©.