2007-11-19 17:45:18

Modeli i dy Gjermanive për bisedimet serbo-kosovare, ndërsa konfirmohet Thaçi si fitimtar i zgjedhjeve në Kosovë


(19.11.2007 RV)Ndërsa konfirmohet, pavarësisht se jo akoma zyrtarisht, kreu i PDK-së Hashim Thaçi si fitimtar i zgjedhjeve të së shtunës në Kosovë, nuk mund të mos vihet re pjesëmarrja e ulët në votime e qytetarëve. Jo vetëm serbët, të kontrolluar nga Beogradi, por edhe shqiptarët nuk u janë afruar kutive të votimit. Pothuaj gjysma e votuesve kanë preferuar t’i braktisin ato. Siç e vë në dukje edhe kreu i vëzhguesve të Këshillit të Evropës, Xhovani Di Stazi, kjo tregon se politika, e përqëndruar vetëm në çështjen e pavarësisë e jo edhe në problemet e vërteta, e ka lodhur popullsinë, e cila çdo ditë duhet të përballet me mungesën e punës, me pagat e ulta e me vështirësi të tjera ekonomike.
Ndërkaq, Hashim Thaçi dhe presidenti aktual Fatmir Sejdiu kanë mbërritur sot në Bruksel, ku nesër do të zhvillohet takimi serbo-kosovar me praninë e Treshes së negociatorëve ndërkombëtarë. Sipas konfirmimit të ministrit të jashtëm gjerman, Shtajnmajer, Trojka do t’u propozojë palëve si model për statusin e Kosovës, marrëveshjen e bazuar mbi marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore pas vitit 1972. Për këtë kanë rënë dakord sot ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian, të cilët kanë diskutuar problemin e Kosovës po në Bruksel. Gjithsesi, ata akoma duhet të flasin me Rusinë dhe me SHBA-të.
Traktati i nënshkruar ndërmjet dy Gjermanive nuk ishte një njohje zyrtare e ndarjes, por një bashkësi marrëveshjesh që rregullonin marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve gjermane. Një vit më vonë, Republika Demokratike Gjermane u pranua në OKB.
Hashim Thaçi, sapo u përvijua fitorja e tij, deklaroi se pas 10 dhjetorit shqiptarët do të shpallin menjëherë pavarësinë në mënyrë të njëanshme. Deklarata shkaktoi jo vetëm reagimin e serbëve, por edhe thirrjen e ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian për të mos u shpejtuar. Përfaqësuesi i lartë evropian për Politikën e jashtme ka takuar sot në Bruksel si Thaçin, ashtu edhe kryeministrin serb, Vojisllav Koshtunica, të cilët do t’i takojë edhe nesër pas bisedimeve.
Por të kthehemi tek 17 nëntori, tek zgjedhjet e rezultatet e tyre, për të cilat na njofton nga Prishtina, bashkëpunëtorja jonë, Rabije Ibraj RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.