2007-11-17 19:25:16

Vdekja e ringjallja në epikën shqipe


(17. 11. 2007 RV)Atë Gjergj Fishta 'Vorrimi i Tringës'
(Nga 'Lahuta e Malcís')
Ora e Madhe e bjeshk’s s’Trojanit,
Ardh’ si rrezja e nadjes s’ré,
Me nji hýll t’shkelqyeshëm m’báll,
Shllungës s’flokvet, fijes s’mndashit,
5 Për mbas shpinet dhan’suvalë :
Avra-avra edhe derdh’ shtatit
Veshun bardh si bora shpatit,
Kur t’i bjer’ dielli kundruell:
Njeshë nën parzme me ‘i trizë arit,
10 Kambën mbath’n’nalla t’prarueme:
E si hana katërmbdheçe,
Në ndo’i mbrame t’asaj vere
Qitun ballin, qêth argjani,
Permbí vetulla t’ndo ‘i mali,
15 Gjatë së kthielltes rav’ t’Empirit
Npër mes t’hyjvet bjen madhnueshim ;
Rudin’s s’blerë, në lule shtrue,
Kshtu madhnueshim bjen e Mira,
Aq kalecas, kambën matun
20 Për mbas gjethit të ndo’i lili,
Udh’s tue ndrrue, porsa m’boç’ lulet
Me i përkulë; edhe nji filli
Drejt ka shkue ke Zana e Madhe,
Ku, qit’ duert asaj nën sjetulla,
25 Si përdhuni e çon në kambë :
E me t’shmajtën llanë eburne
Qark tue u ardh’ lilave t’njomë
T’ijes s’asaj, e me dashtní
Tue e shtërnguem ambël për parzme;
30 Ndërsa e Bukra me dor’ tjetër,
Flok’t, derdh’ ballit edhe çenash,
Me shum máll po i a shestote
Për nën riz’, ka marrë e i thotë,
Lott posht’ mollzazh ka’ i rigojnë :
35 Po ti, Motër... mos kështu !....
Qindro pak, he bujareshë!...
Se ti kshtu, manati i Zotit,
Cok po e çueke vedin dâm...
Mjaft tash mâ... të kjofsha true!
40 Lêne vaj’n nji her’, se plase!
Zana e Madhe, kryet pështetun
M’bor’ të gjall’ t’Motërs trojane,
E tue dnesë, dhimbshim tue fshà,
Merr e i thot’ me fjal’ të kputuna :
45 Qyqja Motër, se ç’m’ka gjetë !
Se un mâ t’gjall’t nuk kam shka e bâj !
Se mue Tringën m’a kan vrá !
Se mue t’rijt-o m’a kan’ thá !
Të dy sŷt m’i kan’ verbue !
50 Bjeshkë e vrrî m’i kan’ shkrumue !
Gurrë e prrue m’i kan’ helmue !
As nuk kam pse t’hî ndër valle !...
Aa nuk kam pse t’bij ndër zalle !...
Pse t’kerkoj hije edhe mriza...
55 Pse t’kerkoj gurra e currila...
T’kerkoj lila e drandofille,
T’ndjeki flutra nepër shtoja,
Mollakuqe e xixilloja :
Të prigioj un zogjt bylbyla !
60 Kta për mue, Zot u farojshin !
Kurr mos kndojshin ! mos vallzojshin !
Kurr mos dal’t për mue prendverë,
Tash qi m’vran’ Tringën e mjerë,
Qi e kam dasht’ si sŷt e ballit :
65 He mue m’gjoft’ moti për s’kthiellti !
Orë e Zana prap piskatën,
Prap ulkojat uluruen :
Bjeshkë e male larg ushtuen.
Ora e bardh’ her’ tue i a lmue
70 Me dor’ ftyrën, her’ me rizë
Lott prej sŷvet tue i a terun
Se sa ambël po i a kthen :
Po ti jo, moj rrezja e bardhë,
Moj shtatrrituna në mjaltë !
75 Se ty Tringa nuk t’ka dekë :

Nuk t’ka dek’, moj, pasha verën !
Pasha vesën, qi rig’ Drita,
Kur vegon m’at buzë të malit !
Nuk t’ka dek’, moj, por t’ka lé
80 Sod për s’dyti ; se n’Nokshiq
Shqyptarís i la ajo nám !
Se kur sod npër buz’ t’agimit
Krisi pushka në Nokshiq
E zu Shkaju me djeg’, me pjekë,
85 Me vra gjind, e me ra pré
M’dhên e dhí e m’lopë e qé :
Si atij p’rherë i a ka hjek’ dera :
Cull e mull’ shka i kisht shpëtue,
U vû n’t’hikun, e muer rreget
90 Rrezga- bjezga drejt Sutjesket,
E as rob njerit s’mbet n’Bajrak ;
Veç se Tringa me t’vllán,
Me at Curr Ulën shtrî për dekë :
Shtrî për dekë kah nis’ me hjekë.
95 Anë e kand visesh s’Nokshiqit
Rrihte pushka kurr pa prâ :
Stane e t’bana i’n flakadâ :
N’tym t’agusht’ qiella mbërthye
Mos me u pá shoqi për brî :
100 Tue lurue shkina edhe shkjé,
Si lavë ujqsh zije në Shndré.
Kah robitshin, kah plaçkitshin,
Pleq e qull e grá kah vritshin :
Me gjith kta kjo e bija e botës,
105 Tringe Ulja e Ul Keqotës.
Vllaut fisnikja, nuk u dá,
Der qi sŷt ktij mbyll’ s’i a ká,
E si vllaut sŷt mbyllë i a ká,
E ka ndie si Shkjau po rrâte
110 Drejt kah tbani i saj, kqyr ç’bâni
Tringa at-her’. Në kambë âsht çue,
Edhe aty, mbi vllá të dekun,
Ka zanë vasha ‘i bé të madhe ;
Ka bâ Zotin - qoft’ levdue !
115 Gjall’ Shkjaut n’dor’ se s’do t’i bijte,
Tatë e nan’ se s’do t’koritte,
S’do t’koritte vllán për s’dekuni,
Fisit marre s’do t’i lîte :
Edhe, kap’ “hutën” e vllaut,
120 Fìll n’oborr vasha ka dalë.
E ka pá nji Shkjá kryekcyem ;
E ka pá, keq ká mendue,
Fort mâ keq desht me punue :
Me e çue rob për vedi n’shpì.
121 Por, kur qeni i biri i qênit,
Ka marr’ turrin me e robitë,
Sa shpejt Tringa aty i ndêi gati,
Edhe m “hut’”, po sokolesha
Mu në parzme shkjkaut i a njiti,
130 M’rragam dekun edhe e qiti.
At-her’ shkjét Tringën’ kan vrá.
Nuk ké, Zanë, pra pse me kjá ;
Se, mana, bija e malcores
Ka qindrue si gjith fisniket:
135 Për të gjall’ nuk u dá vllaut,
Gjall’ në dor’ nuk i rá shkjaut ;
Edhe vedin ka pague
Si mâ i miri burr’ n’Malcí ;
S’ka koritë as t’par as t’mbramë :
140 Shqiptarís i a la ajo nám !
Ka me dalë kanga dikúr,
e kahdo qi shqipja t’flitet
- Kjo e mashkulla gjuh’ hyjnísh -
Ka me u kndue ndër burra t’dheut
145 Për shka bâni e bija e botës
Tringe Ulja e Ul Keqotës,
Kur pat kris’ lufta n’Nokshiq ;
E nder rrezja shekllit t’êndet,
Emni i Tring’s larg do t’përmendet !
150 Shka i ka thân’, váll, Zana e Madhe :
T’paçim, Orë, sa gjith kto male !
Mori e mbruemja me ves’ qiellit,
Mori e njeshmja me gjeth lilit,
Mir’ shartue me rreze t’diellit :
155 Qi m’a ké synin si hýll,
Qi m’a çilë e qi m’a mbyllë
Si ajo hana nepër pyllë :
Se mue shpirtin m’a freskove,
Se mue zemrën m’a balçmove
160 Me kto fjal’, moj, t’u ngjat’t jeta !
Moj pinjolla, vetull-holla.
Se, mana, tash kurrnji grimë
Un për Tringën s’po kam dhimë ;
Ke ajo, lule në ket jetë,
165 Lule paska shkue n’at jetë,
Edhe faqe t’bardh’ Malcís
Lânë i paska, e ‘i nám Shqipnís.
Animâ, moj Bujareshë,
Tash ti Tringën me m’ a veshë,
170 Me m’a veshë e me m’a njeshë,
Me m’a bâ gati për dhé ;
Se, manà, zemra s’po m’bân
M’i a veshë un pajën e dekës.
E kam dasht’ moj Ora e Madhe,
175 Si dritën e syvet t’mí !
Sa mirë Ora veshë e ka !
Sa e mir’ Tringa aty m’ka dá !
Zana e Madhe se ç’ka kjá !
Edhe ulkojat, manà t’ Zotit,
180 Rrijnë e kqyrin si për mall.
Mbasi veshë e ka e stolisë,
Si ato virgjnat e Malcís,
“Ndjesën” arit n’varg florini
M’fyt i a njet e Bukra e dheut.
185 T’dyja duert mandje mbí zemër,
Njanën m’tjetrën kryq, vendue
I a ka e Mira, e me ‘i par’ rruza,
Rreth për rreth tue u ardhë, ia lidhë:
Si Shqiptarve t’dy mijë vjetvet
190 Doke lânë ua kan të Parët.
Nderkaq Zana Shtatzarana,
Me at Shtrumoren e Vathnoren,
Vorrin n’lila e drandofille
E kan shtrue. Si e bân’ gati
195 Me e shtî n’dhé, kjo Zana e Madhe
Po i bjen sipri, e puth e kjaj
Dnes e fshâj e shkrifu n’váj,
Fryma s’mjerës n’fyt ka ‘i zêhet.
Por si Ora e bardh’ trojane
200 Me shum múnd e ka shkep’ soje
E për zemër pshtet’ po e mbate,
Orë e Zana Tringën pezull
Para duersh e çuen, kalecas
205 Edhe m’vorr e shtrîjnë mbí lule
Drandofille. Zana e vogël,
Njajo Dardha moskadele,
Tue dnes’ qyqja, e tue u lvyrë,
Shkon e merr zogun e veres
210 Dhimbet dek’nën shkamb rà i voccri,
E e shtje n’vorr me Tringën bashkë :
Qi për s’gjalli aq fort, e mjera,
Dasht’ m’ i kishte zogjt e verës !







All the contents on this site are copyrighted ©.