2007-11-17 19:09:13

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(18.11.2007 RV) Sot, e diela XXXIII e kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, u përkujtua edhe Kushtimi i Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan (1626) e asaj të Shën Palit në Ostiense (1854).

hënën do të kremtohen Shën Matilda, virgjër e Shën Abdia profet: na nxisin të reflektojmë se Jezusi është gjithnjë gati të na pyesë, ashtu si të verbërin e Jerikut, ç’dëshirojmë të bëjë për ne. T’i kërkojmë sy për ta parë gjithçka në dritën e fesë së vërtetë.

Liturgjia e festës së Shën Gjelazit I papë dhe e shën Oktavit, të cilët do të kremtohen të martën, na fton të kujtojmë se me ndihmën e Zotit, mund ta rifitojmë gjithçka që kemi humbur duke mëkatuar.
 
Festa e Kushtimit të Zojës së Bekuar, të mërkurën, na fton ta mirëpresim e ta njohim Jezusin si Mbret, që rikthehet me lavdi.

Shën Çeçilia, virgjër e martire, që do të kremtohet të enjten, na kujton se duhet të ecim gjithnjë në rrugën e paqes e të jemi gati për ta pritur Zotin kur të vijë për të na vizituar.

Liturgjia e festës së Shën Klementit I papë e martir, e Shën Kolombanit, abat dhe e Shën Feliçitës, martire, që do të kremtohen të premten e ardhshme, na flet për Krishtin, i cili e shpjegon Shkrimin Shenjt, duke vënë në rrezik jetën, për t’i drejtuar njerëzit në rrugën e fesë së vërtetë. Na kujton, kështu, se Fjala e Zotit dhe lutja liturgjike janë edhe ushqimi ynë i përditshëm.

Shën Andreu Dung-Lak, meshtar e shokët e tij martirë si dhe Shën Krizogoni, martir, që do të festohen të shtunën e ardhshme, me liturgjinë e festës së tyre, na kujtojnë se në Hyjin e të gjallëve, vijojnë të jetojnë edhe të vdekurit.







All the contents on this site are copyrighted ©.