2007-11-16 18:37:15

Kush është Enkelejd Alibeaj, ministri i ri i drejtësisë në Shqipëri


(16.11.2007 RV)Ministri i ri i Drejtësisë në Shqipëri, Enkelejd Alibeaj, i sapoemëruar nga kryeministri Sali Berisha ka filluar të shkaktojë debate që para se emri i tij të miratohet nga presidenca dhe parlamenti.
Për shtypin, merita më e madhe që e vuri 34-vjeçarin në krye të ministrisë, e cila ka nevojë për më shumë reforma në të gjithë qeverinë, është se ai është mik i vajzës së kryeministrit, Argita Malltezit. Më parë, ai ka qenë drejtor i departamentit të kontrollit të brendshëm dhe antikorrupsionit. Alibeaj njihet si një nga hartuesit kryesorë të dosjes, mbi bazën e së cilës maxhoranca shkarkoi për të dytën herë radhazi, kryeprokurorin Sollaku. Po kështu, ka hartuar dosjen me shkeljet në Albtelekom, ku drejtuesit e tij të emëruar pas ardhjes së Partisë Demokratike në pushtet, akuzohen për shpërdorim detyre. Në nëntor të 2001-it, Alibeaj është shkarkuar nga detyra e gjyqtarit nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, sepse pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës nuk pranoi emërimin në Skrapar. Këtë vendim e kanë rrëzuar Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë.

Me rastin e Festës Kombëtare, 95-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë Pranë Selisë së Shenjtë dhe pranë Urdhërit Sovran Spitalor të Maltës, zoti Rrok Logu dhe zonja Logu, japin një pritje festive të martën e ardhshme, më 27 nëntor 2007, nga ora 18.00 deri në orën 20.00, në Crowne Plaza, Rruga Aurelia Antica, 415; 00165 Romë.
Të ftuarit duhet ta kenë ftesën me vete. Kujtojmë se numri i telefonit i Ambasadës të Republikës së Shqipërisë pranë Selisë Apostolike është 06. 39754085; i fax-it, 06. 397 33150; e-mail:ambalbvatican@libero.it







All the contents on this site are copyrighted ©.