2007-11-16 18:27:21

Imzot Marketo në takimin ‘Mbi emigracionin dhe skllavëritë e reja’: ‘Të fuqizohet impenjimi kundër çdo forme të skllavërisë’.


(16.11.2007 RV)“Të këputen zinxhirët e skllavërive të reja” – kjo është thirrja që bëri kryeipeshkvi Agostino Marketo, sekretar i Këshillit Papnor të baritorisë për emigrantët dhe endacakët, në takimin “Emigracioni dhe skllavëritë e reja’ që vijon në Kejp Koust të Ganës. Mbledhja u organizua nga Këshilli i konferencave episkopale evropiane (CCEE) dhe nga Simpoziumi i konferencave episkopale të Afrikës (SECAM).
Kisha, me mësimet dhe veprimtaritë e saj të frymëzuara nga Ungjilli – kujtoi imzot Marketo – impenjohet fuqimisht në luftën kundër formave moderne të skllavërisë, për të siguruar kudo e kurdoherë respektimin e dinjitetit të njeriut, posaçërisht në situata të vështira. Prelati shpjegoi se rrënjët e fenomenit të shëmtuar të formave të reja të skllavërisë, duhen kërkuar në radhë të parë në pabarazinë e thellë ekonomike ndërmjet vendeve të varfëra e atyre të pasura. Është pikërisht ky hendek që i shtyn gjithnjë më shumë njerëz të lënë trojet e veta e të kërkojnë një jetë më të mirë larg vendlindjes. Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës, njerëzit e katandisur në skllevër janë rreth 12 milionë, por disa studime të tjera e rrisin këtë numër në shifrën dramatike 27 milionë.
Duke rikujtuar më pas Udhëzimin ‘Erga migrantes caritas Christi’, prelati vuri theksin mbi nevojën e zhvillimit të kulturës së vërtetë të mikpritjes. Nga ana tjetër, kujtoi se secili ka të drejtë të mos emigrojë, e kjo do të thotë t’i respektohen të gjitha të drejtat në vendlindje. Prej këndej uroi që kremtimi i sivjetëm i dyqindvjetorit të zhdukjes së skllavërisë, të jetë rast për sensibilizmin e qeverive dhe të shoqërive civile që të mos lejojnë lindjen e formave të reja të skllavërisë, edhe më të shëmtuara se ato të së kaluarës. Duke nisur nga trafikimi i grave e vajzave në Ballkan e duke vijuar me shfrytëzimin e popullsive vendase, si ajo e pigmejve të Afrikës, imzot Marketo kujtoi një sërë situatash, që Selia e Shenjtë i ndjek me interesim të madh nga afër. Në rrethana të tilla, prelati theksoi se Kisha nuk ka qenë kurrë indiferente e kurrë nuk ka heshtur përballë formave të reja të skllavërisë.Kisha – vijoi sekretari i Këshillit Papnor të baritorisë për emigrantët dhe endacakët – përmes strukturave të saj të bamirësisë, kongregatave e konferencave ipeshkvnore kombëtare, i asiston pa kursim viktimat e skllavërisë, duke i ndihmuar të çlirohen e të rikthehen në radhët e shoqërisë. Imzot Marketo kujtoi rezultatet e arritura përmes rrjetit të krijuar nga karitaset vendase dhe organizatat e krishtera, të impenjuara në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore. Së fundi prelati përgëzoi Këshillin e Evropës për hyrjen e afërt në fuqi të Konventës kundër trafikut të qenieve njerëzore.







All the contents on this site are copyrighted ©.