2007-11-16 18:40:42

Cikloni Sidr shkakton mëse 500 të vdekur në Bangladesh e lajme të tjera


(16.11.2007 RV)Katastrofë në Bangladesh ku cikloni Sidr ka shkaktuar mëse 500 viktima. Tre qytete të Gjirit të Bengalës janë shkatërruar plotësisht. Bashkimi Evropian ka caktuar një ndihmë humanitare prej 1 milion e gjysëm eurosh. Bilanci i viktimave vazhdon të rritet, pavarësisht se 1 milion vetë u evakuan nga zona, ku u mbyllën portet, aeroportet dhe stacionet hekurudhore. Me mijëra, ata që kanë mbetur pa shtëpi.


Në Pakistan filloi punën qeveria e re e përkohshme, me në krye Mohamedmian Sumro, 57 vjeçar, ish-bankier politikisht pranë presidentit Pervez Musharraf. Kryetarja e opozitës, Benazir Buto, e cila nuk është më në arrest shtëpiak, e ka përkufizuar si “të papranueshme” qeverinë e re.


OSBE-ja anulloi misionin e saj në Rusi për zgjedhjet e përgjithshme të 2 dhjetorit. Moska ka vendosur kufizime dhe po vonon dhënien e vizave. Nga ana e saj, Rusia ka njoftuar se nuk ka ndërmend të ndryshojë qëndrimin ndaj vëzhguesve ndërkombëtarë. Ndërkaq, pas Dumës ruse edhe Këshilli i Federatës, apo Dhoma e Lartë e parlamentit, miratoi pezullimin e njëanshëm të traktatit mbi armët konvencionale në Evropë.







All the contents on this site are copyrighted ©.