2007-11-16 18:26:54

Bashkimi me ipeshkvijtë, kriter e garanci suksesi në veprimtarinë misionare.


(16.11.2007 RV)RealAudioMP3 Sot paradite Benedikti XVI përshëndeti, në Sallën e Koncistorit në Vatikan, pjesëmarrësit në takimin e eprorëve të përgjithshëm të Shoqërive Misionare të Jetës Apostolike. Duke iu drejtuar kardinalit Ivan Dias, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve dhe 100 anëtarëve të tjerë të dikasterit vatikanas, Papa foli për misionin ndërmjet popujve dhe për sfidat e sotme të veprimtarisë misionare.
Nënvizoi kryesisht se takimi i organizuar këto ditë në Romë nga Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve, është dëshmi që flet qartë për gjallërinë dhe hovin misionar në Kishë si dhe për frymën e thellë të bashkimit. Takimi, në të cilin u fol për marrëdhëniet e anasjellta ndërmjet dikasterit të Vatikanit e Shoqërive Misionare të Jetës Apostolike, ishte një rast tjetër për të reflektuar mbi misionin ndërmjet popujve.
“Bashkimi me pasardhësit e apostujve shpjegoi Papa – mbetet kriter e garanci e fekonditetit shpirtëror të veprimtarisë misionare. Bashkimi i Kishës në fe, në shpresë e në dashuri – shtoi Ati i Shenjtë - është shenjë e parashijimit të atij uniteti e të asaj paqeje, që Hyji e ka planifikuar për mbarë familjen njerëzore.
Një nga treguesit premtues të përtëritjes së vetëdijes misionare të Kishës - pohoi Papa – është shtimi i radhëve të njerëzve që dëshirojnë të bashkëpunojnë në misionin për ungjillëzimin e popujve, duke derdhur edhe gjakun për përhapjen e lajmit të mirë në vise të largëta, edhe në kohët tona. Ndërkaq është e nevojshme të nxiten më shumë të rinjtë që të marrin pjesë në shoqëritë misionare, për të mbajtur kështu gjallë flakën e zellit apostolik, me sigurinë se Krishti do të vijojë të punojë për ta konfirmuar predikimin e misionarëve me shenjat e pranisë e të forcës së Tij.Kujtojmë se Shqipëria është vend misioni e se shumë misionarë vijojnë prej vitesh veprimtarinë e tyre ungjillëzuese e bamirëse në trojet shqiptare, duke filluar nga vetë Prefekti i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, i pari nunc apostolik i pas diktaturës, Hirësia a tij kardinali Ivan Dias, emrin e të cilit e njohin mirë shqiptarët, nga jugu në veri.







All the contents on this site are copyrighted ©.