2007-11-15 17:34:00

Përfundoi vizita e kardinalit Bertone në Argjentinë.


(15.11.2007 RV)Takimi në Shtëpinë Rozada me presidentin Nestor Kirçner, në prag të largimit nga detyra - dhe me bashkëshorten e tij Kristina, e cila më 10 dhjetorin e ardhshëm do të jetë presidentja e re e shtetit, ishte veprimtaria e fundit e vizitës së Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Tarçizio Bertone në Buenos Ajres të Argjentinës. Presidenti përsërit vazhdimisht se e udhëhoqi popullin e vet nga Ferri në Purgator. Kardinali Bertone, duke i takuar të dy presidentët-bashkëshortë, në sa përgatiten t’i lëshojnë vendin njëri-tjetrës, uroi që Zonja Kristina ta çojë edhe më lart, me bashkëpunimin e të gjithëve. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, duke folur para gazetarëve në përfundim të takimit me presidentin Nestor Kirçner dhe bashkëshorten, Kristina Fernandez, kujtoi se u fol kryesisht për ndihmesën e madhe që jep Kisha në përgjithësi e salezianët në veçanti, në fushën e zhvillimit shoqëror e fetar të Patagonisë, ku kardinali Bertone kryesoi ritin e Lumnimit të indianit mapuke, Zefirino Namunkurà. Hirësia e Tij kujtoi edhe se mori nga zonja Fernandez ftesën drejtuar Papës për të vizituar Argjentinën në vitin 2008, me rastin e 30-vjetorit të ndërmjetësimit të kardinalit italian Antonio Samorè, dërguar në vitin 1979 nga Gjon Pali II me misionin për të gjetur rrugëzgjidhjen e konfliktit me Kilin lidhur me sovranitetin mbi Ngushticën e Beaglit.







All the contents on this site are copyrighted ©.