2007-11-14 17:58:30

Papa në audiencën e përgjithshme kushtuar Shën Jeronimit: “Edukimi i plotë, moral e fetar, i njeriut, e përjashton dhunën.


(14.11.2007 RV)RealAudioMP3 Edukimi i shëndoshë e i plotë, moral e fetar, është kusht i domosdoshëm i çdo progresi, që përjashton ushtrimin e dhunës. Këtë theksoi sot paradite Benedikti XVI në Sheshin e Shën Pjetrit gjatë audiencës së përgjithshme, kushtuar përsëri Shën Jeronimit. Më pas Ati i Shenjtë përshëndeti familjarët e viktimave të Nasirisë, të pranishëm në katekizëm katër vjet pas vdekjes së të dashurve të tyre, ndërmjet 25 mijë besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, pa marrë parasysh ditën e lagësht vjeshtarake.
Papa vijoi katekizmin kushtuar Shën Jeronimit, Atit të Kishës, që përktheu në latinisht Biblën, lindur në Dalmaci në vitin 347 e vdekur në Betlehem në vitin 420.
Ishte vërtetë njeri i dashuruar me Fjalën e Zotit – nënvizoi Ati i Shenjtë, i cili i ftoi besimtarët që, duke ecur në gjurmët e Shenjtit, ta lexojnë Biblën, duke u rikujtuar se “Të mos njohësh Shkrimin Shenjt, do të thotë të mos njohësh Krishtin”.
“Bibla, mjeti me të cilin Hyji u flet çdo ditë besimtarëve” (Ep. 133, 13), bëhet kështu nxitje e burim i jetës së krishterë në çdo situatë e për çdo njeri. Të lexosh Shkrimin Shenjt do të thotë të flasësh me Hyjin: “Në se lutesh – i shkruan Shën Jeronimi një vashe fisnike romake – ti flet me Dhëndrrin; në se lexon, është ai që të flet”. (Ep. 22, 25). Studimi e meditimi i Shkrimit Shenjt e bëjnë njeriun të urtë e paqësor. (cfr In Eph., prol).
Benedikti XVI theksoi dy kriteret themelore që duhen pasur parasysh për ta kuptuar Shkrimin Shenjtë. Së pari:
“Vetëm fryma e thellë e lutjes dhe ndihma e Shpirtit Shenjt mund të të ndihmojnë për ta kuptuar Biblën: “Në interpretimin e Shkrimit Shenjt ne kemi gjithnjë nevojë për ndihmën e Shpirtit Shenjt” (Në Mich. 1, 1, 10, 15)”.
Kriteri i dytë i interpretimit të Fjalës së Zotit është përkimi me magjisterin e Kishës:
“Nuk mund ta lexojmë kurrë Biblën vetëm. Gjejmë shumë porta të mbylluara e shkasim lehtësisht në gabim. Bibla u shkrua nga Populli i Hyjit e për popullin e Hyjit, të frymëzuar nga Shpirti Shenjt. Vetëm përmes këtij bashkimi me Popullin e Hyjit mund të hyjmë me gjithë vetveten në bërthamën e së vërtetës, të cilën dëshiron të na e thotë vetë Zoti. Për Shenjtin, interpretimi i Biblës duhet të jetë gjithnjë në pajtim të harmonishëm me fenë e Kishës katolike”.
Shën Jeronimi nuk e shpërfilli kurrë aspektin etik, dmth detyrën e koherencës së krishterë për ta jetuar Fjalën e Zotit, që duhet ta kenë parasysh të gjithë besimtarët e , në mënyrë të posaçme, predikatarët:
Kështu nxit meshtari Nepocian: ‘Veprat tua nuk duhet të jenë në kundërshtim me fjalët tua, për të mos ndodhë që, kur të predikosh në Kishë, ndokush të thotë me vete: ‘Po ti vetë, pse nuk vepron kështu?”. I lezetshëm vërtetë ky mësues që, si e ka mbushur mirë barkun, të mëson si të agjërosh; edhe një hajdut mund ta dënojë koprracinë; por Meshtari i Krishtit duhet të flasë gjithnjë ashtu si mendon”. (Ep. 52, 7).
E kjo koherencë duhet të shndërrohet në vepra dashurie të krishterë sepse – siç thoshte Shën Jeronimi – Jezu Krishti është i pranishëm në çdo qenie njerëzore.
“Ç’ kuptim ka t’i veshësh muret me gurë të çmuar, në se Krishti vdes urie në njeriun e varfër? (Ep. 58, 7). Jeronimi konkretizon: duhet ta veshim Krishtin në të varfërit, ta vizitojmë në të munduarit, ta ushqejmë në të uriturit, ta strehojmë në njerëzit që nuk kanë çati mbi kokë”.
Më pas Papa kujtoi, përmes Shën Jeronimit, nevojën e edukimit të plotë të njeriut, si kulturor ashtu edhe moral e fetar:
“E pikërisht sot shikojmë sesi edukimi i personalitetit në tërësinë e tij, edukimi i përgjegjësisë para Hyjit e para njeriut, është kushti i vërtetë i çdo progresi, i çdo paqeje, i çdo pajtimi e i çdo mospranimi të dhunës. E është Shkrimi Shenjt që na prin drejt realizimit të edukimit para Hyjit e para njeriut e kështu, edhe drejt humanizmit”.
Në përfundim të audiencës, Papa shkoi në kapelën e tij private për t’u lutur para relikeve të Shën Terezës së Krishtit Fëmijë, që u sollën në Vatikan me rastin e shtegtimit të organizuar për të përkujtuar 10-vjetorin e shpalljes së Shenjtores ‘Dijetare e Kishës’, 120-vjetorin e takimit të saj me Papën Leoni XIII (20 nëntor 1887) e 80-vjetorin e shpalljes së saj ‘Pajtore e misioneve dhe e misionarëve” së bashku me Shën Françesk Saverin.







All the contents on this site are copyrighted ©.