2007-11-14 18:39:37

Në Pakistan arrestohen opozitarët e lajme të tjera


(14.11.2007 RV)Në Pakistan, kryetarja e opozitës Benazir Buto u ka bërë thirrje të gjitha partive kundërshtare të presidentit Musharraf, të krijojnë një koalicion për një qeveri uniteti kombëtar. Sot, policia e regjimit arrestoi opozitarin Imran Khan, ish-kampion i kriketit, i cili do të akuzohet për terrorizëm. Ndërkaq, presidenti Musharraf ka deklaruar se do të largohet nga detyra vetëm kur në vend të mos ketë më probleme.
Parlamenti i Islamabadit do të shpërndahet sonte në mesnatë. Të premten do të bëjë betimin një qeveri e përkohshme, e cila duhet të udhëheqë vendin drejt zgjedhjeve të 9 janarit, të shpallura nga Musharrafi.


Pak para fillimit të konferencës së Anapolisit mbi Lindjen e Mesme, Izraeli do të pezullojë ndërtimet në ngulimet hebraike në Cisjordani dhe do të deklarojë se ka ndërmend të shkatërrojë avanpostet e paligjshme. Ky është maksimumi i premtimeve që arriti të nxjerrë Uashingtoni nga qeveria e Tel Avivit. Nga ana tjetër, parlamenti izraelit miratoi në parim një ligj, që do ta bëjë shumë të vështirë ndarjen e Jeruzalemit, në rastin e marrëveshjes me palestinezët.


Rusia mund të vendosë raketa me rreze të shkurtër veprimi në Bjellorusi. Kjo do të ishte kundërpërgjigjia e qeverisë së Moskës ndaj planeve amerikane për vendosjen e mbrojtjes me raketa në Çeki dhe Poloni, ka bërë të ditur një zyrtar i lartë ushtarak rus.








All the contents on this site are copyrighted ©.