99-vjet më parë në Manastir lindte alfabeti i sotëm i shqipes
(14.11.2007 RV)Kongresi i Manastirit u mblodh nga 14 deri më 22 nëntor 1908
për të vendosur për problemin e ndërlikuar të alfabetit. U organizua nga shoqëria
Bashkimi dhe u propagandua nga Mid'hat bej Frashëri në revistën e tij Lirija:"...
ardhi një ditë e pëlqyerë për istorinë tonë, që të nisim liruar' e papengim të punojmë
për mbrodhësin' e lumtërin' e kombit tonë, jo me barut edhe me armë, po me kartë e
pëndë, andaj kjo çështje e Abecesë lipsetë të jetë fillim, që pa atë nuku do mundim
të harijmë qëllimetë tona të lartëra për mbrodhësi të gjuhësë."- Kështu shkruante
Mid'hat bej Frashëri, që e drejtoi këtë mbledhje, ku morën pjesë delegatë të të gjitha
besimeve nga mbarë Shqipëria dhe kolonitë shqiptare jashtë. Ndër pjesëmarrësit e shquar
qenë Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Mati Logoreci, Luigj Gurakuqi dhe Hilë Mosi nga Shkodra;
Shahin bej Kolonja dhe Petro Nini Luarasi nga Kolonja; Thoma Abrami nga Korça; Sotir
Peci nga Bostoni, dhe Bajo Topulli e familja Qiriazi nga Manastiri. Kongresi zgjodhi
një komision prej njëmbëdhjetë antarësh nën kryesinë e atë Gjergj Fishtës për të studiuar
problemin e alfabetit e për të dalë me propozime. U arrit menjëherë në mendimin e
përbashkët që alfabeti t’i shërbente kryesisht forcimit të unitetit kombëtar. Nismëtar
i kësaj frymne qe Atë Fishta i cili shpjegoi se sido që i dërguar prej shoqërisë
Bashkimi, s’ ishte aty thjeshtë për të mbrojtur abece-në, por për të gjetur një rrugë
që çonte në bashkimin e përgjithshëm. Tre alfabetet kryesorë që u morën në shqyrtim
qenë: alfabeti i shoqërisë letrare Agimi të Shkodrës i propozuar nga Ndre Mjeda;
alfabeti i shoqërisë letrare Bashkimi të Shkodrës, i hartuar nga Imzot Prenkë
Doçi dhe alfabeti i Stambollit, i hartuar nga Sami bej Frashëri. Toskët ishin
më fort për alfabetin tradicional të Stambollit, kurse gegët zakonisht pëlqenin alfabetin
e Bashkimit, i cili ishte më praktik për botimet, sepse nuk kishte shkronja
jolatine. U shqyrtuan gjithashtu edhe dy alfabete të tjerë, alfabeti grek i përdorur
nga Kostandin Kristoforidhi, dhe alfabeti arab, të cilin shumë myslimanë të devotshëm,
sidomos në Maqedoni e Kosovë, vazhduan ta shohin si të vetmen zgjidhje edhe për shumë
kohë pas Kongresit. Komisioni vendosi të pranojë variantet e modifikuara të alfabeteve
të Bashkimit e të Stambollit. Të dy mund të përdoreshin në shkolla e
në botime. Pranimi nga të gjithë i vendimit të komisionit do të donte ende shumë kohë,
por, me vendimin për të mbështetur një zgjidhje kompromisi, kongresi shtroi rrugën
për kalimin shkallë-shkallë nga alfabeti i respektuar i Stambollit, te alfabeti i
tanishëm i shqipes i bazuar në shkronja latine, duke mënjanuar kështu polemika e kundërshtime
e duke hedhur bazat për formimin e gjuhës letrare shqipe.