2007-11-13 17:55:20

Veprimtari festive me rastin e 28 nëntorit në Romë.


(13.11.2007 RV)Afrohet festa kombëtare e shqiptarëve, 28 nëntori e, me të, nisin edhe ftesat për kremtimet 2007.
Sipas traditës, edhe sivjet arbëreshë e shqiptarë janë të ftuar të takohen në mjediset e Rrethit italo-shqiptar të Kulturës ‘Besa, në Via dei Greci, 46 – 00187 Romë.
Sivjet në takimin, që do të mbahet të shtunën, më 24 nëntor, ora 17. 30, në sallën e Rrethit “Besa”, do të përkujtohet 10-vjetori i vdekjes së Nënë Terezës.
Me këtë rast do të projektohet një dokumentar kushtuar Nënë Terezës, vepër e regjisorit shqiptar, Gjon Kolndrekaj. Veprimtarinë do ta drejtojë doktoresha Katerina Xukaro, përkthyese e disa veprave kushtuar Nënë Terezës.Të nesërmen, e dielë, 25 nëntor, në orën 10. 30, pranë Kishës së Shën Athanasit, për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Atdhe e nëpër botë, do të kremtohet Liturgjia Hyjnore në gjuhën shqipe e kënduar me muzikën e Atë Nilo Somma, meshtar- murg arbëresh i Manastirit të Grotaferratës.







All the contents on this site are copyrighted ©.