2007-11-13 17:54:38

Kardinali Bertone ipeshkvijve argjentinas: “Të gjallëruar nga dashuria e Krishtit, përtërijeni impenjimin baritor e misionar të Kishës”.


(13.11.2007 RV)Krishti duhet të jetë gjithnjë zemra e qendra e risimit baritor e misionar të Kishës në Argjentinë e në mbarë Amerikën Latine: kjo është porosia kryesore që u dha këto ditë kardinali Tarçizio Bertone ipeshkvijve të Argjentinës, ku ishte për vizitë baritore me rastin e asamblesë së 94-t plenare të Konferencës ipeshkvnore argjentinase, mbajtur në Buenos Ajres. Kujtojmë se më 11 nëntor Hirësia e Tij kryesoi ceremoninë e Lumnimit të Zefirino Namunkurà, indian i Pampës, vdekur në fillim të viteve 1900. Është e nevojshme – theksoi kardinali Bertone – që Kisha të mos perceptohet si organizatë e thjeshtë humanitare, por si familja e Hyjit, e gjallëruar nga dashuria e Krishtit. Qëllimi kryesor i Kishës duhet të jetë t’i përcjellë çdo burri e çdo gruaje lajmin e plotë të shëlbimit. Duke vepruar kështu – vijoi kardinali – veprat e promovimit njerëzor, që realizohen me bujari të madhe, do të jenë dëshmi e prekshme e dashurisë së Krishtit, i cili dëshiron që të gjithë njerëzit ta njohin të vërtetën e ta provojnë forcën përtëritëse të Shpirtit të Tij. Duke kujtuar Konferencën e Aparesidës, hapur nga Benedikti XVI majin e kaluar, kardinali Bertone kujtoi se Papa është gjithnjë pranë ipeshkvijve të Amerikës Latine, të impenjuar për t’i dhënë një hov të ri ungjillëzimit të Kishave vendase në këtë pjesë të botës. Është e qartë – vijoi të shpjegonte Kardinali Bertone - se Ati i Shenjtë, duke marrë emrin Benedikt, deshi t’i propozonte njerëzve në planin e fesë, përparësinë e Hyjit mbi veprimtarinë, duke u kujtuar moton benediktine që përtëriu dikur Evropën në prag të shkatërrimit përfundimtar, pas sulmeve barbare: “Lutu e puno!”. Për Papën – vijoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, është më se e qartë se problemet që trondisin botën e edhe Kishën, nuk zgjidhen duke i shndërruar të krishterët në aktivistë, por në dishepuj të uratës, pa harruar se duhet t’u kërkohet edhe impenjim politik, aftësi profesionale e promovim të solidaritetit, të lirisë e të drejtësisë. Gjithsesi, e veçanta për të krishterët është pikërisht lutja drejtuar Hyjit të gjallë. Ja pse Benedikti XVI ngul këmbë mbi faktin se vendin e parë në jetën e të krishterëve duhet ta zërë adhurimi që na bën të lirë e që ndriçon çdo lloj programi të veprimtarive tona njerëzore.







All the contents on this site are copyrighted ©.