(12.11.2007 RV)Eshtën të shpulpuem (Prej Librit të Ezekielit profetë:
37, 1-14) Në ato dit dora e Zotit kje mbi mue e Zoti më rrëmbei
në shpirtë e më lëshoi në një fushë, e cila ishte plot me eshtën: më
bâni të kalojshem rreth e përqark tyne. Pava se ishin me shumicë të madhe gjatë
luginës e të gjithë ishin eshtën të shpulpuem. Më tha: “O i biri
i njeriut, a munden këta eshtën me marrë jetë?”. E unë përgjegja: “Zot, Perendí,
ti e din!”. Ai ma kthei: “Profetizo mbi këta eshtën e thueju atyne: o eshtën
të shpulpuem, ndigjonie fjalën e Zotit! Kështu ju thotë Zoti Perendí,
shih: qe se unë po ju ap frymëmarrjen e keni me kthye në jetë. Kam me endë
mbi jú dej e rreth jush kam me bâ të rritet mishi, mbi jú kam me shtri lëkurën
e në jú kam me dikue frymën e ju keni me kthye rishtas në jetë; keni me
kuptue se unë jam Zoti”. Unë profetizova ashtu si më kishte urdhnue; ndërsá
unë profetizojshem, qe se ndjeva një krizëm e pava një lëvizje ndër eshtën,
të cilët iu afrojshin njëni-tjetrit, secili ashtit përgjegjës. Shikjova,
e qe se mbi ta u shtrinë dejt e mishi e i veshi lëkura, por ndër ta endè s’kishte
shpirtë. E ai më tha: “Profetizo mbi shpirtë, profetizo, o i biri i njeriut,
e kumtoj shpirtit: Kështu thotë Zoti Perendí: o Shpirtë, eja prej katër erëve
të botës e fryj mbi këta të dekun, që kështu të kthejnë në jetë”. Unë profetizova
ashtu si më kje urdhnue e shpirti hyni në ta e u kthyen në jetë e u çuen
në kambë; ishin një ushtrí e madhe, e panumër. E ai më tha: “O
i biri i njeriut, këta eshtën janë tanë shtëpia e Izraelit. Qe, ata shkojnë tue
thanë: eshtënt tonë janë të shpulpuem, shpresa jonë asht zhdukë, tashma
na kemi mbarue. Për ketë arsye profetizo e kumtoju atyne: Kështu
thotë Zoti Perendí: qe se unë po i çili vorret tueja, po ju ngjalli prej rrëmajve
tuej, o populli em, e po ju çoj rishtas në tokë të Izraelit. Keni për të më
njohtë se unë jam Zoti, kur kam për të hapë muranat tueja e kam për t’ju ngjallë
prej vorreve tueja, o populli em. Kam me bâ të hyjë mbrenda jush fryma eme e
ju keni me marrë jetë. Kam për t’ju bâ të pushoni në vendin tuej: keni me
kuptue atëbotë se unë jam Zoti. Kështu ju kam premtue dhe kështu do të veproj”.
Nga
Bibla e plotë e Atë Daniel Gjeçajt, përkthyer në dialektin gegë