2007-11-12 18:34:56

Sot u kremtua Shën Jozafati, ipeshkëv e martir


(12.11.2007 RV)Shën Jozafati lindi në Vilnius të Lituanisë rreth vitit 1580 nga prindër ortodoksë. Rreth moshës 20 vjeçare u kthye në katoliçizëm dhe hyri ndër rregulltarë bazilianë (1604), ku pas pak kohe u zgjodh i parë, pastaj abat e, së fundi, kryeipeshkëv i Polozkut (1617). Gjatë gjithë jetës së tij meshtarake ruajti ritin e Kishës Uniate, në harmoni të plotë me Kishën e Romës. Për këtë, gjithnjë në harmoni me Romën, punoi pa pushim: riorganizoi klerin e vendit, jetën rregulltare dhe sjelljet fetare. Ktheu në bashkimin e Kishës aq shumë njerëz, sa të quhej nga të gjithë: “ Rrëmbyes shpirtrash”. Kundërshtarët nisën ta urrenin për shkak të jetës së tij të shenjtë, e sidomos të apostullimit, zhvilluar ndërmjet ortodoksëve të Rutenisë. Urrejtja e ortodoksëve të shkëputur nga Kisha u thellua aq, sa një ditë i hynë të armatosun në banesën e argjipeshkvisë, e mbytën mizorisht dhe trupin e tij e flakën në lumin e Dunës. (Viterbsk, Rusia e Bardhë, 1623).







All the contents on this site are copyrighted ©.