2007-11-10 18:29:55

Sot në Itali, Dita kombëtare e falënderimit të Zotit për dhuratat e Krijimit.


(11.11.2007 RV)Sot Papa kremtoi lutjen e Engjëllit të Tënzot me besimtarët që ishin mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, në sa në Itali festohej Dita e falënderimit të Zotit me temë: “Rojtarë të trojeve të dashura, që meritojnë shërbim të kujdesshëm”.
Në mesazhin tradicional të kësaj Dite, Komisioni Ipeshkvnor për problemet shoqërore e të punës, të drejtësisë e të paqes, i fton të gjitha bashkësitë e krishtera ta falënderojnë Zotin për dhuratat e Gjithësisë, por edhe t’i bëjnë vetes pyetjen mbi shfrytëzimin e këtyre pasurive, në dritën e fjalimit të Papës Benedikti XVI, mbajtur në janar 2007 para Trupit Diplomatik, në të cilin theksohet me forcë shkandulli i urisë, nevoja për të ndryshuar mënyrën e jetesës atje ku shpërdorohet pasuria dhe urgjenca për të korrigjuar modelet e zhvillimit, që nuk janë në gjendje të sigurojnë respektimin e ambientit.Ndërsa në 40-vjetorin e enciklikës ‘Populorum Progressio’, mesazhi i Konferencës Ipeshkvnore Italiane citon thënien e Papës Pali VI për këtë temë: “Në se toka u bë që t’i sigurohen secilit mjetet për të jetuar e për të përparuar, çdo njeri ka të drejtë t’i ketë të gjitha gjërat e nevojshme për jetën”. Vë në dukje gjithashtu edhe lidhjen e ngushtë ndërmjet kujdesit për ambientin natyror dhe impenjimit për zhvillimin e njeriut, duke cituar Mesazhin e Papës Racinger për Ditën Botërore të Paqes 2007, në të cilin theksohet me forcë lidhja e pazgjidhshme ndërmjet ekologjisë ambientale e asaj njerëzore.







All the contents on this site are copyrighted ©.