Lumnohet Shërbëtori i Zotit Zefirino Namunkurá, indian i Pampës argjentine. Kremtimi
kryesohet nga kardinali Bertone.
(11.11.2007 RV)Një i Lum i ri iu shtua aradheve të shenjtorëve të Kishës katolike:
u beatifikua sot në Çimpai të Argjentinës, Shërbëtori i Zotit Zefirino Namunkura,
i ri laik salezian.Kremtimin eukaristik, me ritin e lumnimit, e kryesoi i dërguari
i Benediktit XVI, kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, i cili
ndodhet që të premten e kaluar në Argjentinë për një vizitë gjashtëditore në viset
e ungjillëzimit të parë e, posaçërisht, në Patagoni, ku kanë jetuar figura heroike
misionarësh e misionaresh të Ungjillit. Gjatë kësaj vizite, Sekretari i Shtetit të
Vatikanit do të ketë takime të dendura kishtare e institucionale, duke nisur nga takimi
i djeshëm me zëvendëspresidentin e vendit, ndërsa me 14 nëntor do të takohet me presidentin
e Argjentinës. Nesër kardinali Bertone do të fillojë vizitën në Viedma, ku është varrosur
kardinali Gjovani Kaliero, misionari dhe ipeshkvi i parë salezian i Argjentinës, për
të vizituar, më pas, disa nga vendet ku pushojnë në paqe figurat më të shquara të
Kishës vendase si dhe muzeun e Rio Grandes, kushtuar historisë së ungjillëzimit të
Argjentinës.