2007-11-10 16:15:51

Benedikti XVI Vëllazërive të Italisë: "Të fortë në fenë e Krishtit e në traditat tuaja, vijoni të jeni fidanishte të shenjtërisë".


(10.11.2007 RV)RealAudioMP3 Shprehje korale e fesë, festë e popullit: Benedikti XVI priti sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, 40 mijë besimtarë, anëtarë të më se 2 mijë Vëllazërive të zonave e dioqezave të ndryshme të Italisë. Me pasurinë e simboleve, me origjinalitetin e veshjeve, me dëshminë e një historie shekullore e njëkohësisht, me një fe të gjallë e shprehëse, Vëllazëritë e Italisë pushtuan sot Sheshin e Shën Pjetrit për t’i shprehur dashurinë e tyre bijnore Benediktit XVI. Duke i pritur me të njëjtin entuziazëm, Papa vuri menjëherë theksin mbi ndikimin e vëllazërive të ndryshme mbi bashkësitë e krishtera të Italisë që në fillim të shekujve të parë të mijëvjeçarit të kaluar. Benedikti XVI kujtoi se Bashkëvëllazëritë lindën në mesjetë, kur nuk ekzistonin format e asistencës publike, që të garantonin ndihmën shoqërore e shëndetësore për shtresat më të varfëra të shoqërisë. Por, sqaroi Papa:”Vëllazëritë nuk janë thjeshtë shoqëri të ndihmës reciproke apo shoqata bamirëse, por bashkësi vëllezërish që, duke dashur ta jetojnë Ungjillin si pjesë e gjallë e Kishës, venë në jetë urdhërin e dashurisë, që të shtyn t’ia hapësh zemrën tjetrit, posaçërisht atyre që kalojnë kohë të vështira. Dashuria ungjillore – dashuri për Hyjin e vëllezërit – është shenja dalluese dhe programi i jetës për çdo dishepull të Krishtit, ashtu si dhe për çdo bashkësi kishtare”.
Në përfundim të takimit Papa nënvizoi se në stinën e ndryshimeve të mëdha, që po jetojmë, Kisha në Itali ka nevojë edhe për vëllazëritë, në përpjekjen për t’ua kumtuar të gjithëve Ungjillin e dashurisë, duke përshkuar udhë të lashta e të reja.







All the contents on this site are copyrighted ©.