2007-11-09 18:04:36

Rrogat e mesme dhe të vogla vuajnë rritjen e çmimeve në Shqipëri


(09.11.2007 RV)Rriten përsëri çmimet në Shqipëri, mbi “tavanin” prej 4 përqindësh, të përcaktuar si nivel maksimal nga qeveria shqiptare, Banka e Shqipërisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Në krye të listës së rritjeve qëndrojnë çmimet e ushqimeve, të cilat tashmë shqiptarët i paguajnë mesatarisht 9,1 për qind më shtrenjtë, në krahasim me tetorin e një viti më parë. Vërehet rritja shumë e lartë për bukën dhe drithrat, prej 21,8 përqindësh, pasuar nga perimet, përfshirë pataten, që shënojnë një rritje çmimesh prej 15,5 përqindësh. Natyrisht, këtë rritje e ndjejnë më shumë personat me pagë të mesme dhe të ulët, për të cilët nuk është bërë deri tani ndonjë politikë e veçantë.

Universiteti "Luigj Gurakuqi" i qytetit të Shkodrës, festoi sot, me një sërë aktivitetesh, 50-vjetorin e themelimit. Për përgatitjen e këtij festimi është ngritur prej kohe një komision i përbërë nga ish studentë, ish pedagogë dhe ish rektorë.
Komisioni është marrë me historikun 50 vjeçar të universitetit, për të cilin u përgatit edhe një botim i veçantë. Ndërkohë u hap edhe një ekspozitë pikture me punimet e studentëve dhe të pedagogëve të këtij universiteti.
Sipas rektorit, Profesor Doktor Mahir Hoti, aktivitetet kushtuar këtij përvjetori të rëndësishëm, kanë nisur në fillim të kësaj jave, kryesisht në sektorin e kulturës dhe të sportit, me konkurse letrare, promovime librash dhe gara e ndeshje sportive ndërmjet fakulteteve.
Ndërsa sot, në orën 17.00, në sheshin përpara Universitetit "Luigj Gurakuqi", u dha një koncert festiv me pjesëmarrjen e këngëtarëve më të mirë shkodranë dhe të ftuar nga Tirana, organizuar nga bashkia e Shkodrës në bashkëpunim me universitetin.
Ndërmjet autoriteteve të shumta, ardhur edhe nga jashtë, ishin të pranishëm Kryeministri i Shqipërisë, Prof. Dr. Sali Berisha dhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo.
Universiteti i akordoi disa tituj profesorëve më të shquar. U vizitua edhe biblioteka e re, e ndërtuar me ndihmën e qeverisë austriake.







All the contents on this site are copyrighted ©.