2007-11-09 18:00:20

51 vjet më parë vdiste imzot Bernardin Shllaku, OFM.


(09.11.2007 RV)Imzot Bernardin Shllaku, i biri i Jozefit e i Marie Ndojës, lindi në Shkodër më 23 qershor 1875, veshi petkun e Shën Françeskut më 8 dhjetor 1892; kushtet e përkohshme i bëri më 8 dhjetor 1893; të përjetshmet më 14 dhjetor 1896. U shugurua meshtar më 26 dhjetor 1897; Ipeshkëv i Pultit, më 1910; vdiq më 9 nëntor 1956. Me emrin e tij lidhet një shekull i historisë së Kishës në Shqipëri. Më 1911, kur Shqipëria përgatitej të rilindte, ai ishte tashmë Ipeshkëv i Pultit, Bari i Kishës, tek i cili grigja katolike e maleve kishte gjetur strehë të sigurtë në përpjekjen për të përballuar presionin turk e serb. Më 1935 familja françeskane do të kremtonte me madhështi 25-vjetorin e ipeshkvisë së tij.
Pastaj do të vinin vitet e rënda të burgimit, të poshtërimit, të izolimit e të vënies para një prove të rëndë: marrjes së vendimit për nënshkrimin e “Statutit të Kishës Katolike të Shqipërisë", sepse i vetmi prelat i mbetur gjallë në atë kohë tragjike për krishterimin në vend. Kush dëshiron të dijë më shumë për ipeshkvin françeskan, mund të lexojë një letërsi shumë të pasur, duke nisur nga vepra e Atë Zef Pllumit ‘Rrno vetëm për me tregue” e duke vijuar me të gjitha veprat dokumentare të meshtarëve që shpëtuan gjallë nga persekutimi e na lanë trashëgim dëshmitë e tyre, disa të botuara tashmë, të tjera, ende në dorëshkrim.







All the contents on this site are copyrighted ©.