2007-11-08 15:25:14

Thirrje e Selisë së Shenjtë për mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve e të refugjatëve, që shpesh diskriminohen e shfrytëzohen në vende të ndryshme evropiane.


(08.11.2007 RV)Të drejtat e emigrantëve e të refugjatëve, të të miturve e të grave ishin në qendër të vëmendjes në diskutimin e kryeipeshkvit Manuel Monteiro de Kastro, nunc apostolik në Spanjë, kryetar i delegacionit të Selisë së Shenjtë në Konferencën e ministrave evropianë të drejtësisë, mbajtur në Lantharote, në kuadrin e Këshillit të Evropës. Duke shfrytëzuar këtë rast, Imzot Monteiro reflektoi mbi kushtet dhe mënyrat që duhet të ketë parasysh drejtësia për mbrojtjen e më të ligështve, si emigrantët, njerëzit që kërkojnë strehim, të miturit e të tjerë, të cilët vuajnë nga forma të ndryshme të pabarazisë në botën e punës, të arsimit, të përgatitjes profesionale e të ndihmës shëndetësore. Përfaqësuesi i Selisë Apostolike vuri theksin mbi shfrytëzimin e shpërdorimet, edhe seksuale, të grave e të të miturve, që kanë si pasojë krijimin e një sërë problemesh me karakter moral e juridik. Prelati bëri thirrje që drejtësia t’i mbrojë këta njerëz, duke punuar për çrrënjosjen e të gjitha formave të intolerancës e për përtëritjen e zemrave: vetëm atëherë mund të modifikohen kuadri ligjor, proceset gjyqësore si dhe garancitë procedurale, që shpesh shkelin mbi dinjitetin e njerëzve të ligësht, duke u mohuar të drejtat e tyre më themelore e duke ua kufizuar lirinë.Selia e Shenjtë – theksoi prelati – mendon se këto situata janë në kundërshtim të hapur me vlerat themelore të rrënjosura në kulturën evropiane. E për këtë flet vetë fjala drejtësi - sinonim i respektit për tjetrin.







All the contents on this site are copyrighted ©.