2007-11-08 16:05:55

Gjeorgji: policia në rrugë, Sakashvili i flet kombit


(08.11.2007 RV)Situatë relativisht e qetë në Gjeorgji, pasi dje presidenti Mikhail Sakashvili dekretoi gjendjen e emergjencës për 15 ditë, duke akuzuar Moskën dhe shërbimet sekrete ruse se kanë organizuar protestat e ditëve të kaluara në sheshe me objektiv grushtin e shtetit. Opozita i ka ftuar përkrahësit e saj të mos kryejnë aktivitete e manifestime për dy javët e emergjencës, për të mos rënë pre e abuzimeve nga ana e policisë.
Pavarësisht se është dakord me politikën filoperëndimore të Sakashvilit, e cila e çon vendin drejt integrimit në NATO e në Bashkimin Evropian, opozita e akuzon presidentin për autoritarizëm, korrupsion, paaftësi në përballimin e varfërisë dhe kërkon dorëheqjen e tij. Manifestimet zgjatën gjashtë ditë, por dje Sakashvili u dha fund duke ndërhyrë me polici e me gaz lotsjellës. Të plagosurit janë 508 vetë, ndër të cilët 94 të shtruar në spital. NATO-ja dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur shqetësimin e tyre për situatën.







All the contents on this site are copyrighted ©.