2007-11-07 16:21:18

Kryeministri rumun, në audiencë tek Benedikti XVI, falënderoi Kishën për promovimin e kulturës së tolerancës.


(07.11.2007 RV)Sot paradite Benedikti XVI priti në Vatikan kryeministrin e Rumanisë, Këlin Popesku Tëriçanu, që e kishte kërkuar këtë takim, duke dashur të falënderojë Papën dhe Kishën për gjithçka bëjnë në mbështetje të emigrantëve si konkretisht, ashtu edhe duke promovuar kulturën e tolerancës e të mikpritjes. Ati i Shenjtë bisedoi me kryeministrin rumun në përfundim të audiencës së përgjithshme në një mjedis pranë Sallës së Palit VI. Më pas Këlin Tëriçanu u takua me kryeministrin italian, Romano Prodi, me të cilin bisedoi për hartimin e një strategjie të përbashkët, që i kundërvihet kriminalitetit, garanton sigurinë dhe kolektivitetin e, njëkohësisht, edhe të drejtat e nënshtetasve rumunë në Itali. Por, të dëgjojmë vetë kryeministrin Këlin Popesku Tëriçanu në mikrofonin e Radis sonë:

Përgjigje: - Jam pakëz i zhgënjyer nga qëndrimi që kanë mbajtur disa personalitete italiane e, nganjëherë, edhe disa njerëz të thjeshtë, ndaj popullit rumun. E kam për detyrë të vë në dukje personalitetet më të mira rumune në botën akademike e universitare, në botën e afaristëve e, jo më pak, në atë të sportit, që njihen për veprimtarinë e tyre në Itali, në mënyrë që njerëzit të kenë një ide më të saktë për Rumaninë e sotme, pas hyrjes në Bashkimin Evropian. Është e vërtetë se disa kriminelë shkaktuan reagime të ashpra në Itali, e kjo më hidhëron shumë edhe personalisht, por nuk më duket e arsyeshme që për disa njerëz të cilët kryejnë krime, të dënohet një popull i tërë, të shikohen shtrembër të gjithë rumunët që punojnë në Itali, shumica e të cilëve njihen e vlerësohen për punën e tyre të ndershme.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.