2007-11-07 16:21:07

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme: “Bibla i flet zemrës së njeriut; duhet lexuar, studiuar e kuptuar duke ecur në hullinë e traditës”.


(07.11.2007 RV)“Bibla ka fjalë që i kapërcejnë kufijtë e kohërave: i drejtohet zemrës së çdo njeriu, e njëkohësisht bën të lindë bashkësia e krishterë, Kisha, në gjirin e së cilës fjalët e shenjta mund të kuptohen në tërë thellësinë dhe vërtetësinë e tyre”. Ky është mësimi kryesor i katekizmit të Benediktit XVI në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit. 40 mijë besimtarëve, që ishin mbledhur për të ndjekur katekizmin e sotëm, Ati i Shenjtë u paraqiti figurën e Shën Jeronimit, biblist i famshëm i shekullit V, autor i ‘Vulgatës’, përkthim zyrtar i Besëlidhjes së Vjetër, i përdorur nga Kisha latine.
“Shën Jeronimi e përktheu Biblën, ashtu si një koncertist i famshëm luan partiturën e një muzike’ tha Papa e vijoi: - Studimi i thelluar, përgatitja, ndjeshmëria e përkushtimi ndaj Teksteve të Shenjta e bënë një nga ekzegjetët e shkrimtarët më të mëdhenj të lashtësisë së krishterë. Ati i Kishës, Shën Jeronimi e vuri në qendër të gjithë jetës Bilën: e përktheu, e komentoi e mbi të gjitha – nënvizoi Papa – u përpoq ta jetonte konkretisht gjatë gjithë jetës së vet:
“Hodhi poshtë me energji e gjallëri heretikët që kundërshtonin traditën dhe fenë e Kishës. Dëshmoi sa e rëndësishme dhe e vlefshme ishte letërsia e krishterë, e cila qe bërë kulturë e vërtetë, e denjë për t’u ballafaquar me atë klasike” – tha Papa, dhe në vijim përmblodhi shkurtimisht ngjarjet më të rëndësishme të jetës së Shën Jeronimit, duke mos harruar origjinën ilirase të Atit të Kishës, që lindi në vitin 347 në Stridone, kur kjo trevë banohej nga fiset ilire. Njeri me karakter të zjarrtë, vetmitar e sekretar i një pape, Damazit, poliglot e njohës i kryeveprave të mendimit të lashtë, murg në shpirt e mbrojtës i fesë kundër heretikëve: ky ishte Shenjti, pasioni kryesor i të cilit ishin librat e Besëlidhjes së Vjetër e të Re; e ky njeriu, që pati fatin t’i përfundonte ditët e jetës në Betlehem, pranë vendit ku nisi rrugën e vet krishtërimi. Në se përkthimi latin i teksteve biblike – që njihet më shumë si ‘Vulgata’ – është trashëgimi më i çmuar që i la Kishës të të gjitha kohërave, përpjekja për t’u thelluar në Bibël – siç bëri Shën Jeronimi në vitet tij të para, në vetminë e shkretëtirës së Kalçides – mbetet – pohoi Benedikti XVI, shembull i lashtë i një sjelljeje gjithnjë aktuale për çdo të krishterë:
“Të mos njohësh Shkrimin Shenjt, do të thotë të mos njohësh Krishtin. Prandaj ka shumë rëndësi që çdo i krishterë të jetojë në kontakt e në dialog personal me Fjalën e Zotit, që na është dhuruar në Shkrimin Shenjt. Dialogu ynë me Të, duhet të ketë dy përmasa: nga njëra anë, duhet të jetë dialog vërtetë personal, sepse Hyji flet me secilin prej nesh përmes Shkrimit Shenjt e ka një mesazh për secilin. E Shkrimin Shenjt nuk duhet ta lexojmë si një fjalë që i përket së kaluarës, por si Fjalën e Hyjit, që na drejtohet edhe ne e të përpiqemi të kuptojmë ç’dëshiron të na thotë Zoti”.Por, për të mos rënë në individualizëm, dmth në një kuptim personalistik të Biblës, duhet të kemi gjithnjë parasysh – tha Papa – edhe valencën tjetër të Shkrimit Shenjt, atë të dhantisë që na është bërë nga Zoti për të ndërtuar bashkësinë e Kishës:
”Duhet ta lexojmë bashkë me Kishën e gjallë. Vendi i privilegjuar i leximit e i dëgjimit të Fjalës së Hyjit është liturgjia, në të cilën, duke kremtuar Fjalën e duke e bërë të pranishme në Sakramentin e Korpit të Krishtit, aktualizojmë Fjalën e Hyjit në jetën tonë dhe e bëjmë Atë të pranishëm ndërmjet nesh. Nuk duhet të harrojmë kurrë se Fjala e Hyjit i kapërcen kufijtë e kohërave. Opinionet njerëzore vijnë e shkojnë. Ajo që sot është modernizëm, nesër është vjetrizëm. Ndërsa Fjala e Zotit është Fjalë e jetës së pasosur, mbart në vete amshimin, dmth vlen përgjithmonë. Prandaj mund të themi se duke e mbartur në shpirtin tonë Fjalën e Hyjit, mbartim në vetvete amshimin, jetën që s’ka perëndim”.
Kuptimplotë çasti ekumenik, në përfundim të audiencës së përgjithshme, kur Benedikti XVI përshëndeti kryeipeshkvin Inokentiu të Patriarkanës ortodokse të Moskës. Pas shtrëngimit të duarve dhe bisedës së shkurtër, kryeipeshkvi rus u nda nga Papa duke i dhuruar një libërth, që kishte në kapak figurën e Patrikut Ortodoks të Moskës, Aleksejt II.







All the contents on this site are copyrighted ©.