2007-11-07 18:25:35

Benazir Buto pakistanezëve: rebelohuni kundër Musharrafit


(07.11.07 RV)Ndërlikohet situata në Pakistan, pas deklarimit të gjendjes së emergjencës nga ana e presidentit Musharraf. Ish-kryeministrja Benazir Buto është shprehur haptasi kundër gjeneralit, duke promovuar një seri iniciativash në opozitë me qeverinë. Nuk mungojnë edhe ndërhyrjet e policisë në manifestimet e protestës. Në manifestimin e fundit të zhvilluar në Islamabad, policia shpërndau me forcë përkrahësit e Benazir Butos. Ndërkaq, parlamenti ka miratuar gjendjen e emergjencës, gjë që do të thotë pezullim i Kushtetutës dhe shkarkim nga detyra i Kreut të Gjykatës së Lartë.

Në Afganistan janë shpallur tri ditë zi kombëtare, pas atentatit të rëndë në provincën e Baglanit, i cili dje shkaktoi vdekjen e 40 personave. Në sulmin kamikaze mbetën të vrarë edhe disa parlamentarë që ishin për vizitë në zonë.

Mbetet i lartë tensioni në kufirin turko-irakian. Një ushtar i Ankarasë është vrarë në një sulm të kurdëve, të cilët nga ana e tyre, kanë humbur tri vetë. Kryeministri turk, Erdogan ndodhet që dje në Romë, ku është takuar me autoritetet italiane. Hipoteza e ndërhyrjes ushtarake në veri të Irakut mbetet akoma në tryezën e qeverisë së Ankarasë.







All the contents on this site are copyrighted ©.