2007-11-06 18:05:45

Në 135 vjetorin e ditëlindjes së Imzot Bumçit - fragmente nga shënimet për Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, gjetur në arkivat amerikane.


(06.11.2007 RV)RealAudioMP3 Imzot Lugj Bumçi lindi më 6 nëntor 1872 në Shkodër e vdiq në vitin ogurzi 1945 në selinë e ipeshkvisë së tij të Sapës. Emri i prelatit lidhet pazgjidhshmërisht me Konferencën e Paqes në Paris (1919), ku kryesoi delegacionin e qeverisë shqiptare. Nga kjo tribunë mbajti një fjalim, që pati jehonë të jashtzakonshme e që meriton të zërë vend në të gjitha antologjitë e letërsisë shqiptare, si një nga prozat oratorike, me karakter të fuqishëm atdhetar.
Në Konferencë delegacioni shqiptar u ndodh para një problemi jetik për tërësinë e tokave shqiptare: Korça e Gjirokastra rrezikoheshin të shkëputeshin nga Shqipëria, sipas marrëveshjes së fshehtë ndërmjet Titonit e Venizelosit, nënshkruar edhe nga përfaqësuesit e Britanisë së Madhe, Francës, Italisë e Rusisë. Delegacioni shqiptar nuk u mjaftua ta mbronte çështjen shqiptare në Konferencë, por vijoi të shfrytëzonte të gjitha mundësitë e rrugët diplomatike për të sensibilizuar botën mbi çështjen shqiptare në një kohë kur shihej qartë se Fuqitë e Mëdha nuk e garantonin paprekshmërinë e kufijve të Shqipërisë.
Në përvjetorin e 135-të të ditëlindjes së tij, po e kujtojmë duke shfletuar, pa koment, fragmente domethënëse nga shënimet e Luigj Bumçit për Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, gjetur kohët e fundit në arkivat amerikane nga historiani Lavdosh Ahmetaj:
“…lajmet që kemi marrë deri më sot nga dërgata amerikane na kanë hidhëruar shumë, por nuk na kanë çuditur, sepse duhet ta dinim se edhe ne nuk kishim për të shpëtuar shëndoshë, duke parë se Qeveritë e Mëdha u kishin cënuar të drejtat politike e ekonomike edhe disa shteteve të tjera të vogla.
Kështu pra, duke parë gjendjen e përgjithshme të punëve dhe duke kuptuar mirë se parimet e larta të përballura në kohën e luftës e mbi të cilat ne kishim mbështetur kërkimet e shpresat tona, nuk po zbatohen, mjerisht me drejtësi e me paanësi, ne nuk gjejmë rrugë apo mënyrë tjetër për të mbrojtur të drejtat tona, përveç kësaj që po përmbledhim në këto dy pika:
a) Duke u mbështetur mbi vendimin e Konferencës së Londrës më 1913, me të cilin u krijua "Shqipëria shtet më vete", e që është i vetmi dokument zyrtar i shuguruar në një akt ndërkombëtar e që mund ta përdorim me të drejtë, ne do ta kundërshtojmë gjithnjë e gjithmonë çdo cënim të "tërësisë së atdheut". Kështu pra, nuk do të pëlqejmë kurrë asnjë nga vendimet e Konferencës që të cungojë vendin tonë, duke prekur sidomos Gjirokastrën, Korçën, Vlorën e Shkodrën.
Përveç respektimit të tërësisë së Shqipërisë të krijuar në Konferencën e Londrës ne do të vijojmë gjithnjë të kërkojmë ndreqjen e padrejtësive që na ka bërë ajo Konferencë e pranimin e kërkesave tona tokësore të themeluara mbi parimin e vetvendosjes së kombeve e të popujve.
b) Duke u mbështetur përsëri në vendimin e përmendur, që njihte sipërfaqen e shtetit shqiptar, nuk do të pranojmë kurrë me dashjen tonë një mandat mbi Shqipërinë. Që të mund të gjejmë një rrugë ligjore për të larguar rrezikun e mandatit, kemi menduar që sa herë që të vijë koha e të shohim se nuk kemi kurrsesi tjetër shpëtim, të paravendosim një modifikim të dispozitave të vendimit të Konferencës së Londrës më 1913 mbi statusin e Shqipërisë, në interesin tonë. Kjo vërtetë nuk na shpëton nga rreziku, por ne do të kërkojmë e do të përdorim të gjitha mjetet që të pakësojmë sa më shumë të këqijat e dëmet e që të kemi edhe një dokument zyrtar në dorë mbi të cilin të mund të themelohemi për të kërkuar më vonë nga Lidhja e Kombeve qortimin e padrejtësive që mund t'i bëhen sot atdheut tonë.
NDERKOMBETARIZIMI I SHKODRES - Ka disa kohë që gjenerali anglez, z. Philips, u ka thënë disa shkodranëve se atij i dukej mirë, si në pikëpamjen ekonomike, si në ruajtjen e së drejtave të posaçme të vjetra që Shkodra bashkë me rrethet e veta deri në Breg të Matës, të futej e të lihej nën sundimin ndërkombëtar.
Pikë së pari, nuk i kishim dhënë tepër rëndësi këtij fakti, sepse besonim që z. Philips sillej kështu vetëm pse dëshironte të mbetej ai qeveritar i Shkodrës: por më vonë, kur morëm vesh se udhëtimi i tij i mbrapshtë në Londër kishte po këtë qëllim, nisi të na lindte dyshimi se ndonjë grackë tjetër po i ngrihej tërësisë së Shqipërisë. Në të vërtetë, lajmet e fundit po na tregojnë se jo vetëm z. Philips, por edhe gjenerali francez z. Bardi de Fourtou, po përpiqet për ndërkombëtarizimin e Shkodrës. Thuhet me siguri, se një lutje për këtë qëllim, e nënshkruar nga disa myslimanë e katolikë shkodranë, ka arritur në Paris, ku kanë ardhur edhe z. Briot - ingjiner francez, e z. Sadik Tirana, të dy nëpunës të administratës së Shkodrës, i pari në punët botore e tjetri në Postë - Telegrafe.
Ndër punët e tjera që këta zotërinj do të kryejnë këtu, do të porosisin edhe pullat e Postës së Shkodrës me këto fjalë të shkruara përsipër: "Postë shqiptare - Shkodër". Kur i thamë z. Sadik Tirana se nuk ishte mirë që Shkodra të përdorte pulla postare të veçanta e i treguam kuptimin e keq që në ditët e sotme mund të merrte fjala "Shkodër" e shkruar mbi to, na u përgjigj se "gjenerali Bardi de Fourtou e kishte kërkuar patjetër shtimin e asaj fjale".
Nuk është as nevoja t'iu përmendim rrezikun e madh që do t'i vinte qytetit të Shkodrës prej ndërkombëtarizimit të tij, pasi ndarja e këtij qyteti administrativisht prej Shqipërisë tjetër, është hapi më i parë drejt pushtimit të tij prej Jugosllavisë. Për fat të keq, shqiptarët, nuk e kuptojnë të gjithë mirë këtë rrezik.
Ne do t'i paraqesim Konferencës një notë kundër ndërkombëtarizimit të Shkodrës e do të përpiqemi që edhe nga Shqipëria të vijnë protesta të tilla, pasi ne besojmë se Shkodra është e humbur për Shqipërinë në qoftë se ndërkombëtarizohet.
LESHIMI I ADMINISTRATES NE DORE TE QEVERISE SE PERKOHSHME - Që në ditët e para të këtij muaji, qeveria italiane i ka dhënë urdhër Komandës së Ushtrive në Shqipëri, që të lëshojë në dorë të Qeverisë së Përkohshme gjithë administratën e vendit. Presim me padurim lajme të hollësishme mbi këtë lëshim, sepse kështu do të marrim vesh qëllimet e qeverisë italiane mbi krahinat e Vlorës e Gjirokastrës: po që tani mund t'ju themi se qeveria jonë nuk do të pranojë asnjë ngushtim të sipërfaqes së shtetit shqiptar mbi këto dy krahina.
LAJMET MBI KRYENGRITJEN E SHQIPERISE - Po mbushen gati dy muaj që kur zyra e shtypit jugosllav ka filluar të përhapë lajme mbi një të vetëquajtur kryengritje në Shqipëri. E dinim mirë se këto lajme nuk janë të vërteta, po z. Rexhep Bej Mitrovica që ka ardhur tani shpejt nga Durrësi, po na e forcon këtë besim duke na thënë se ato lajme nuk kanë asnjë bazë. Eshtë e vërtetë se qetësia në Shqipëri le shumë për të dëshiruar, po për kryengritje nuk mund të flitet fare.
Jugosllavët janë munduar që prej shumë kohe të nxjerrin disa çeta nën kryesinë e Halit Lleshit, të Shani Bovçës e të disa të tjerëve që punojnë në Peshkopi e në Lumë në emër të Esat Pashës; por pas disa përpjekjesh që këto çeta patën me ushtrinë italiane, tani e kanë ndaluar shumë veprimtarinë e tyre…
MARREVESHJA ME JUGOSLLAVINE - Pas orvatjeve të padobishme të bëra nga disa prej nesh për një marrëveshje e një bashkëpunim me Jugosllavinë, besonim se nuk do të mbetej më asnjë shqiptar, as brenda, as jashtë atdheut, që të mashtrohej edhe një herë "prej lajkave të tyre dhelpërake". Por nuk paskemi pasur të drejtë: zhgënjimet e shumta e të hidhura, që kanë pësuar deri më sot shqiptarët në marrëdhëniet e tyre me sllavët, nuk u paskan vlejtur për mësim, sepse sot akoma po gjenden disa që janë prapë gati të bien në bat.
Kur pamë se në një letër që na vinte nga Shkodra, thuhej se "të gjitha mjetet ishin gati për një marrëveshje me Jugosllavinë", e kur lexuam në letrën që na shkruante Z. Çekrezi më 24 shtatorin e kaluar se "shqiptarët e Amerikës do të prisnin me gëzim çdo bashkëveprim tonin me Jugosllavët për të shpëtuar Korçën nga grekët", na u duk se ishim në ëndërr, e filluam të kemi dyshim mbi vlerën e gjykimit popullor të kombit shqiptar.
Nuk duam të mburrim veten tonë, sepse sikur të ishim larg prej punëve e të mos kishim përgjegjësinë e madhe që na rëndon mbi ndërgjegje, ndoshta do të binim edhe ne në këto gabime të çuditshme: por me gjithë këtë, lehtësia e madhe me të cilën disa shqiptarë japin gjykime të guximshme e këshillojmë masa rrënjësore për zgjidhjen e çështjes kombëtare pa menduar fare fundin se ku do të dali, na bëjnë herë - herë të dëshpërohemi për të ardhmen e atdheut. E pra, nuk duhet një mendje tepër e hollë, as një eksperiencë tepër e gjatë për të kuptuar qëllimin me të cilin jugosllavët "kërkojnë të na bëjnë vegël", e dëmin e madh që do t'i sillte Shqipërisë mashtrimi ynë pas lajkave të tyre të rreme.
Historia e vjetër dhe e re, premtimet e ndryshme, dinake e pathemel që na bëjnë, njerëzit e mënyrat që përdorin, sjellja e tyre përpara Konferencës kundër çështjes sonë, e kushtet e politikës së përgjithshme duhej të na tregonin hapur se një bashkëpunim i jonë me jugosllavët në ditët e sotme është jo vetëm i rrezikshëm, por edhe i pamundur.
Nuk duhet të harrojmë se, që prej shekullit VII, politika e sllavëve nuk ka pasur kurrë qëllim tjetër, veçse shtypjen e ndrydhjen e fisit shqiptar e shuarjen e tij nga faqja e dheut, e kur të dimë se në këto shtatë vitet e fundit ky sistem është zhvilluar dhe praktikuar me rreptësinë më të egër, me zjarr e vrasje e therje që vazhdojnë edhe në ditët e sotme, atëherë mund të parashikojmë lehtësisht se ç'fat i zi do t'i priste shqiptarët e mjerë po të bënin gabim të afroheshin, jo më me një Serbi të vogël si ka qenë deri tani, por me një Jugosllavi të madhe e imperialiste për dëshirat e pangopura, për të cilën kufijtë që i ka premtuar Konferenca janë tepër të ngushta…
Jugosllavët përdorin njerëz e mjete vetëm për të krijuar ngatërresa në Shqipëri e për të rrezikuar çështjen shqiptare, duke e poshtëruar përpara Konferencës e përpara botës së qytetëruar emrin e kombit tonë, me qëllim që t'u mbushin mendjen Pushteteve të mëdha se shqiptarët nuk janë të zotët të mendojnë për vete, se nuk dëshirojnë rregull e qetësi, se nuk kanë elementët e nevojshëm për organizim e për administratë e se njerëzit që i përfaqësojnë janë veglat e tyre….
Italia, e vetmja që duhet të na ndihmonte, duke mos ditur si të sillet me shqiptarët e duke mos njohur e kuptuar interesin e vet të vërtetë që kërkon një Shqipëri të madhe e të fortë, ka shkaktuar mes shqiptarëve një pakënaqësi të thellë ndaj saj: e me lakmitë që ka për Vlorën e për përzierjen në punët e Shqipërisë, lëndon tërësinë e sipërfaqes së shtetit shqiptar dhe e dëmton gjendjen tonë përpara Konferencës. Vështirësitë e ndryshme kundër të cilave duhet të luftojë dërgata shqiptare pranë Konferencës së Paqes, nuk janë as të pakta, as të vogla: por me gjithë këtë, ne do të mundohemi t'i kapërcejmë si të mundemi më mirë, duke mbajtur gjithmonë anën e së drejtës e duke u mbështetur gjithmonë mbi parimet e tërësisë, pavarësisë e sipërfaqes së Shqipërisë brenda kufijve etnikë, që kanë qenë, janë dhe do të jenë pikat themelore të patundshme të mbrojtjes së të drejtave tona kombëtare.
Marrë me shkurtime nga"Tirana Observer".







All the contents on this site are copyrighted ©.