2007-11-06 17:45:56

Imzot Çelestino Miliore në OKB: “Dinjiteti i njeriut duhet vënë në bazë të çdo sistemi ligjor”e lajme të tjera nga Vatikani.


(06.11.2007 RV)Tema e të drejtave të njeriut ishte në qendër të vëmendjes në fjalimin e kryeipeshkvit Çelestino Miliore, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Pasi kujtoi se ka kaluar më se një vit nga krijimi i Këshillit për të drejtat e njeriut, kryeipeshkvi vlerësoi hapat para që janë bërë në konsolidimin e institucionit. Por njëkohësisht shtoi se sfidat për t’i mbrojtur këto të drejta, po bëhen gjithnjë më të vështira. Prej këndej – shpjegoi prelati - dinjiteti i njeriut duhet vënë në bazë të çdo sistemi ligjor, duke përfshirë edhe atë ndërkombëtar.
Imzot Miliore kujtoi edhe se shumë fe të botës janë bërë viktima të fyerjeve nga më të ndryshmet. Fyhen si besimtarët, ashtu edhe simbolet shpirtërore ose morale. Një fyerje e tillë – vërejti prelati – vë në rrezik vetë dinjitetin e njeriut. Prandaj – përfundoi përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë – duhet uruar që Këshilli për të drejtat e njeriut të adoptojë një rezolutë të re mbi respektimin e së drejtës të lirisë fetare të besimtarëve të të gjitha feve, pa asnjë përjashtim”.

(06.11.2007 RV)“Shkenca dhe feja në mijëvjeçarin e tretë: identiteti i embrionit” – kjo është tema e Kongresit ndërkombëtar mbi “Ontogjenezën dhe jetën njerëzore”, që do të mbahet në Romë më 15 deri më 17 nëntorin e ardhshëm, pranë Universitetit Papnor ‘Mbretëresha e Apostujve”.Është një temë me rëndësi të madhe për mbarë shoqërinë, rreth së cilës do të shkëmbehen mendime për të arritur në përkufizimin e identitteit të embrionit. Prandaj gjatë Kongresit do të ballafaqohen fusha të ndryshme të diturisë në diskutimin mbi konceptet e individit e të organizmit, parë në këndvështrime të ndryshme, si ai biologjik, biomjekësor, filozofik, teologjik, bioetik e juridik.







All the contents on this site are copyrighted ©.