Gazetat arabe për vizitën e mbretit saudit në Vatikan
(06.11.2007 RV)Që prej disa ditësh faqet e gazetave më të rëndësishme arabe
i kushtojnë vëmendje të veçantë vizitës së mbretit saudit Abdullah në Romë dhe takimit
të tij historik me Papën Benedikti XVI. Është hera e parë që një mbret saudit viziton
Vatikanin e gazeta “al-Hajat” e krahason atë me vizitën e Papës Gjon Pali II në xhaminë
omajade të Damaskut, në vitin 2001. Gazeta shpreson që ky takim ta ndihmojë konkretisht
dialogun ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve. Edhe gazeta e Riadit “al-Vatan”
e vendos lajmin në faqe të parë, duke nënvizuar se këshilli për dialogun ndërfetar
i universitetit egjiptian “al-Azhar”, konsideruar nga të gjithë si pikë referimi për
botën e myslimanëve sunitë, pret shumë nga kjo vizitë e shpreson se do të forcohet
dialogu ndërmjet dy feve monoteiste. Gazeta uron që Papa Benedikti XVI dhe mbreti
Abdullah të gjejnë rrugën për t’i mbrojtur fetë nga konfliktet në Lindjen e Mesme
dhe të hapin rrugën e dialogut kristiano-mysliman. Mbreti saudit, kur ishte princ
ka ardhur edhe një herë tjetër në Vatikan, ku është takuar me papën Gjon Pali II.