2007-11-06 17:33:21

Cështja Sollaku në tryezën e presidentit të Shqipërisë


(06.11.2007 RV)Parlamenti i Shqipërisë i propozoi zyrtarisht Presidentit të Republikës shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku. Me 77 vota pro, 36 kundër dhe 3 abstenime, Kuvendi miratoi dje raportin e komisionit hetimor të hartuar nga përfaqësuesit e maxhorancës, i cili kërkonte largimin e kryeprokurorit nga detyra, me argumentin e shkeljeve të rënda ligjore gjatë ushtrimit të këtij funksioni. Presidenti Topi do të vendosë në mënyrë përfundimtare nëse kryeprokurori do të shkarkohet. Sollaku ka premtuar ta ndjekë akoma çështjen me mjetet që i ofron ligji.


Raporti i lëvizjes “Mjaft” mbi shëndetin e politikës shqiptare ka gjetur vend sot në faqet e shtypit shqiptar. Sipas lëvizjes, e cila ka monitoruar Kuvendin në periudhën janar-korrik 2007, deputetët shqiptarë shpenzojnë më shumë se sa homologët e tyre në vendet evropiane me një stad zhvillimi ekonomik shumë herë më të lartë. Shumica e këtyre shpenzimeve shkojnë për transportin, pasi çdo deputet ka në dispozicion një automjet, përkundër vendeve si Franca, Gjermania apo Norvegjia, ku deputetëve nuk u sigurohet automjet, por u vihet në dispozicion një numër i kufizuar makinash. Ata duhet të planifikojnë udhëtimet, të cilat mund të kryhen vetëm brenda kryeqyteteve dhe vetëm për çështje legjislative. Sipas raportit, shpenzimet operative të buxhetit të Kuvendit të Shqipërisë përbëjnë gati gjysmën e buxhetit të përgjithshëm. E më pas, lëvizja rreshton emrat e deputetëve që nuk kanë marrë pjesë në seancat e Kuvendit. Në krye të listës konfirmohet Fatos Nano. Opozitës gjithashtu, i takon primati negativ i mosbërjes së asnjë propozimi për ligj gjatë periudhës së marrë në shqyrtim.







All the contents on this site are copyrighted ©.