2007-11-05 17:19:59

Në Pallatin e Kongreseve të Riminit, një turmë e madhe mori pjesë në salikimet e don Benzit.


(05.11.2007 RV)RealAudioMP3 Treqind meshtarë e mijëra besimtarë ishin mbledhur në Pallatin e Kongresve të Riminit sot paradite, rreth orës 9. 30, kur arriti arkivoli me trupin e don Oreste Benzit, meshtarit që themeloi Shoqatën Papa Gjoni XXIII e që vdiq të premten e kaluar nga një goditje në zemër, në moshën 82 vjeçare. Në ritin e salikimeve, kryesuar nga ipeshkvi i Riminit, imzot Françesko Lambiazi, bashkëkremtuar nga 12 kardinaj e ipeshkvij, ndërmjet të cilëve edhe kardinali i Bolonjës, Karlo Kafarra e kardinali Erzilio Tonini, ranë posaçërisht në sy turmat e të rinjve.
Qeshte meshtari me veladonin e vjetëruar. Qeshte nga fotografia, don Oresti, e shikonte rradhët e para të platesë në Pallatin e Kongreseve: u qeshte të mbramëve, që për të ishin të parët; të gjymtuarve, që e qanin, por që më tepër e falënderonin në heshtje, atë që i ndihmoi të rigjenin dinjitetin e shpresën.Këndonin të rinjtë, që e deshën, sepse ai i pranonte pa dallim në bashkësitë e tij, pa u trembur nga damka ‘i droguar’ që i kishin vënë vetes – këndonin bijtë e tij në shpirt e këndonin njerëzit, ardhur nga të katër anët e Italisë e të botës për t’i dhënë lamtumirën e fundit. E kjo sepse don Benzi, siç vërejti imzot Lambiazi:
”Besoi gjithnjë se feja e krishterë nuk është një seri idesh të zbehta e të ndërlikuara, por është një vetje: Krishti; është historia e kryqit të Tij dhe e ngjalljes së Tij. E gjithë vepra e jashtëzakonshme, e palodhshme e don Benzit – në favor të jetës së palindur akoma, të njerëzimit të braktisur, të poshtëruar e të vënë nën thembër, në favor të paqes e të respektimit të të drejtave të njeriut, duke nisur nga liria e fesë - gjithçka pati një qëllim të vetëm: ta bënte Krishtin zemër të botës e thelb të të gjitha zemrave”.







All the contents on this site are copyrighted ©.