2007-11-05 17:19:37

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa bëri thirrje për zgjidhje paqësore të tensioneve ndërmjet Turqisë e Kurdistanit irakian.


(05.11.2007 RV)RealAudioMP3 Dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit në praninë e 50 mijë besimtarëve, Ati i Shenjtë bëri thirrje për zgjidhje paqësore të problemeve që kanë tronditur marrëdhëniet ndërmjet Turqisë e zonës së Kurdistanit në Irak. Më pas foli për figurën e Karl Borromeut, që përkujtohej dje në Liturgji. Duke marrë shtytje nga fragmenti ungjillor i takimit të Jezusit me Xakeun, Benedikti XVI pohoi se dashuria është forca që përtërin botën.
Papa shprehu shqetësimin e tij për ngjarjet e ditëve të fundit në kufirin ndërmjet Irakut e Turqisë dhe inkurajoi të gjitha përpjekjet për arritjen e zgjidhjes paqësore:
Nuk mund të harroj se në këtë zonë kanë gjetur strehë shumë popullsi, në përpjekjen për të shpëtuar nga pasiguria e nga terrorizmi, që e kanë vështirësuar jetën në Irak gjatë viteve të fundit. Pikërisht duke pasur parasysh të mirën e këtyre popullsive, ndërmjet të cilave, jo pak të krishterë, uroj me gjithë zemër që të gjitha palët të përpiqen për të gjetur rrugëzgjidhje paqësore”.
Benedikti XVI uroi edhe që marrëdhëniet ndërmjet emigrantëve e popullsive të vendeve ku kanë gjetur strehë, të bazohen në frymën e qytetarisë së lartë morale, fryt i vlerave shpirtërore e kulturore të çdo populli e të çdo vendi. Kush dëshiron sigurinë e mikpritjen – nënvizoi Papa – duhet të përdorë mjete të përshtatshme për të garantuar të drejtat e detyrat, të cilat janë në bazë të çdo bashkëjetese.
Para lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI kujtoi episodin ungjillor, që propozonte liturgjia e djeshme: atë të takimit të Jezusit me Xakeun, tagrambledhës në shërbim të autoriteteve romake. Hiri i këtij takimi të paparashikuar – tha Benedikti XVI – qe i tillë, sa ta ndryshonte plotësisht jetën e Xakeut, që i tha Jezusit: “Po i jap gjysmën e pasurisë sime të varfërve, e në se kam mashtruar ndokënd, do t’ia kthej katërfish”:
Edhe një herë Ungjilli na thotë se dashuria, duke u nisur nga zemra e Zotit e duke vepruar përmes zemrës së njeriut, është forca që përtërin botën”.
Një e vërtetë kjo – shtoi Ati i Shenjtë - e cila shkëlqen posaçërisht në dëshminë e Shenjtit që përkujtohet sot: Karl Borromeut, kryeipeshkëv i Milanos:
Figura e tij spikat në shekullin XVI si model bariu shembullor për bamirësi, doktrinë, zell apostolik e posaçërisht për lutje: “Shpirtrat – thoshte – fitohen në gjunjë”.Shën Karl Borromeu – vijoi Papa – duke vënë në jetë mësimet e Koncilit të Trentos, iu kushtua plotësisht Kishës ambroziane: themeloi seminare, ndërtoi spitale, mbrojti të drejtat e Kishës përballë pushtetarëve të kohës dhe themeloi një kongregatë të re priftërinjsh shekullarë, Oblatët. Prej këndej, Benedikti XVI ia besoi mbrojtjes së Shën Karlit të gjithë ipeshkvijtë e botës e shtoi:
”Motua e tij përmblidhet në një fjalë të vetme: “Humilitas” . Përvujtëria e shtyu, ashtu si Zotin Jezus, të mohonte vetveten e të bëhej shërbëtor i të gjithëve”.
Duke përshëndetur shtegtarët polakë, Ati i Shenjtë kujtoi paralelisht Shën Karl Borromeun e Gjon Palin II, që mbante plot devocion emrin Karol. Të falënderojmë Hyjin – tha në përfundim Benedikti XVI - për jetën dhe veprën e këtyre dy burrave të mëdhenj, larg në kohë, po pranë në shpirt”.







All the contents on this site are copyrighted ©.