2007-11-05 17:20:10

Mesazh i kardinalit Toran për festën induiste të Divalit: “Ta ndërtojmë së bashku paqen, duke dialoguar e duke respektuar lirinë fetare”.


(05.11.2007 RV)“Të krishterët e indutë, të vendosur për të përshkuar së bashku rrugën e dialogut”: ky është titulli i mesazhit për festën e Divalit, dërguar nga kardinali Zhan Lui Toran, kryetar i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, miqëve të dashur indu, në të cilin nënvizohet se bota e dëshiron më me zjarr se kurrë paqen. E kjo kërkon bashkëpunimin e ngushtë të traditave të ndryshme fetare, të cilat e kanë për detyrë ta bëjnë botën një vend më të mirë, ku mund të jetojnë në paqe të gjithë popujt. Prej këndej, Hirësisa e Tij kërkon me urgjencë nga bashkësitë fetare t’i kushtojnë vëmendje të dorës së parë edukimit të besimtarëve, të cilët mund të bien lehtësisht pre e propagandës së rreme. Nuk duhet të harrojmë – shton kardinali Toran – se injoranca është armiku i parë e ndoshta më kryesor i njeriut që beson, ndërsa kontributi i çdo besimtari të formuar mirë, së bashku me atë të të tjerëve, është burim i pasur për paqen e qëndrueshme. Në mesazh, kardinali Toran pohon se besimi fetar e liria ecin krah për krah e se prandaj askush nuk mund të detyrohet të besojë, e aq më pak, të mos besojë. Prej këndej, liria fetare është si aspekt themelor e paraprak i lirisë së ndërgjegjes së individëve, ashtu edhe aspekt themelor i lirisë së popujve. Kujtojmë se festa induiste e Divalit simbolizon fitoren e së vërtetës mbi gënjeshtrën, të dritës mbi errësirën, të së mirës mbi të keqen, të jetës mbi vdekjen, të dashurisë mbi urrejtjen. Prandaj në mesazh vihet theksi mbi temën e dashurisë, e cila duhet t’i lidhë besimtarët e feve të ndryshme, në përpjekjen për ta kapërcyer urrejtjen dhe mosbesimin, që vijojnë të përhapen në mënyrë shqetësuese në botën e sotme.








All the contents on this site are copyrighted ©.