2007-11-03 15:38:33

Meditim për muajin e të vdekurve.


(04.11.2007 RV)Një ditë pas kremtimit të Gjithë Shenjtorëve, më 2 nëntor, Kalendari liturgjik na ftoi të kujtojmë besimtarët e vdekur, të cilëve u kushtohet gjithë muaji në vijim. Pse Kisha i kremton pranë e pranë këto dy festa? Ç’lidhje ka ndërmjet tyre?

Përgjigje: - Është e qartë se së bashku me Shenjtorët e Parajsës, kujtojmë edhe ata që drejtohen nga Parajsa, që janë në Purgator e Purgatori nuk është, thënë simbolikisht, botimi i dytë i Ferrit. Purgatori është shtëpia e gëzimit, sepse - paradhomë e Parajsës. Dikush ka thënë se Purgatori është si një kurs i gjatë ushtrimesh shpirtërore, para se të pranohemi në festën e shenjtorëve. Ata që janë në pritje të Parajsës, gjithë të vdekurit që i përkujtojmë gjatë nëntorit, janë njerëz që jetojnë në bashkim me ne. Ne mund të lutemi për ta e ata për ne. Prandaj është prekëse ta kujtosh edhe këtë pjesë të dytë të shoqërisë së shenjtorëve, dmth të kujtosh të gjithë shpirtrat që nuk janë në festën e plotë të Parajsës, por presin akoma në paradhomë. Ta ndjesh bashkimin me ta, të lutesh për ta e të dish se edhe ata mund të ndërmjetësojnë për ne, edhe kjo është një arsye që na shtyn të mos ndjehemi kurrë të vetmuar.

Pyetje: - Ne sot jetojmë në një shoqëri që kërkon me të gjitha mënyrat ta harrojë vdekjen: nga buron kjo prirje në shoqërinë tonë?

Përgjigje: - Frika nga vdekja ndjehet kur njeriu nuk ka përgjigje para misterit të vdekjes. Në se mendon se vdekja është një zhytje në errësirë, atëherë sigurisht që të tremb; në se nuk shikon asnjë rreze drite që vjen nga jeta e përtejme, atëherë sigurisht që jeta e përtejme të tmerron. Por kur e di se vdekja është vetëm një prag, se vdekja nuk është fund, se vdekja është fillim, është si porta e hyrjes në një shtëpi të re, ndryshon puna. Kur fitojmë sigurinë për këtë të vërtetë, të ndritur nga feja, vdekjen mund ta thërresim qetësisht “motra vdekje”, siç e pati quajtur Shën Françesku. Për fat të keq, shoqëria jonë është tepër e lidhur me të sotmen, me jetën e përkëndejme, por jeta e këndejme nuk mund të jetë gjithçka që kuptojmë me fjalën jetë, nuk mund të jetë gjithë jeta. Kishte të drejtë Nënë Tereza kur thoshte: “Më e bukura nuk ka ardhur akoma”. I krishteri, që i di këto të vërteta, e shikon vdekjen me qetësinë më të madhe. Kush është një mendje me një shkrimtar bashkëkohor, nga më të mëdhenjtë, që thotë: “Mendoj se roli i sojit tim nuk është më i lartë se ai i bletëve, i milingonave ose i harabelave”, sigurisht që ka tmerr nga vdekja. Në sa ne e dimë se jeta e njeriut është e lartë, mbart në vetvete farën e amshimit. E ne kemi kohë, në sa jemi ende gjallë, të vendosim cilin amshim të zgjedhim: amshimin e pranimit të Zotit, apo amshimin e mospranimit të Zotit? Amshimi i pranimit të Zotit është Parajsa, jeta e pasosur, ndërsa ai i mospranimit të Zotit, është Skëterra, sepse njeriu pa Zot është i parealizuar; pa Zot, njeriu është i zbrazur, është plotësisht i palumtur.







All the contents on this site are copyrighted ©.