2007-11-02 17:47:36

Gjendje rreziku në Somali e lajme të tjera


(02.11.2007 RV)Në Somali, popullsia civile ndodhet në mes të ndeshjeve me armë ndërmjet fraksioneve lokale, ndeshje që janë ashpërsuar pas dorëheqjes së kryeministrit Ali Mohamed Gedi. Dhjetra janë viktimat në tri ditët e fundit të luftimeve, që po ia ndryshojnë fytyrën kryeqytetit Mogadisho. Shumë organizata jo qeveritare e përkufizojnë gjendjen si katastrofë humanitare dhe kanë vështirësi për të ndihmuar popullsinë. Me lejen e qeverisë së përkohshme, Programi Ushqimor Botëror rifillon shpërndarjen e ushqimit për të shpërngulurit. Shpërndarja ishte ndërprerë më 17 tetor, pas arrestimit të përgjegjësit të OKB-së për Somalinë. Sipas Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, rreth 90 mijë vetë braktisin shtëpitë për shkak të dhunës, duke shtuar kështu radhët e refugjatëve, që arrijnë tashmë në dhjetra mijëra.

Presidenti i autoritetit palestinez, Abu Mazen u takua sot në Ramallah më disa drejtues të Hamasit në Çisjordani. Është mbledhja e parë e përbashkët pas marrjes së pushtetit nga lëvizja islamike në Rripin e Gazës. Në një deklaratë, presidenti palestinez përsëriti se nuk është i mundur asnjë lloj dialogu politik me Hamasin, derisa lëvizja të mos ketë hequr dorë nga Rripi i Gazës.

Në prag të mbërritjes së të dërguarit të OKB-së, Ibrahim Gambari në vendin aziatik, Junta ushtarake birmane ka liruar 46 disidentë që bëjnë pjesë në partinë e Çmimit Nobel, San Su Çi. Këta persona u arrestuan gjatë protestave të shtatorit. Sipas disa burimeve, regjimi është gati të nxjerrë jashtë vendit përfaqësuesin e Kombeve të Bashkuara në vend, Çarls Petri, i cili para disa javësh dënoncoi rritjen e varfërisë në vend. E është bërë e vështirë edhe kontakti nëpërmjet internetit, i kontrolluar nga qeveria.







All the contents on this site are copyrighted ©.