2007-11-01 17:05:54

Sot Kisha kremtoi solemnitetin e të Gjithë Shenjtorëve: reflektim i kardinalit Arinze.


(01.11.2007 RV)RealAudioMP3 Më 1 nëntor Kisha katolike kremton Festën e të Gjithë Shenjtorëve, që u përhap në mbarë Evropën, duke filluar nga shekulli VIII, për t'i kujtuar tërë të krishterëve thirrjen e tyre: të jetojnë sipas mësimeve të Krishtit, të synojnë shenjtërinë, të kenë si ideal, përsosurinë.
E rrugët e shenjtërisë janë të panumërta, në përkim me thirrjen e secilit besimtar, ndërsa vetë shenjtëria është masa më e lartë e jetës për çdo të krishterë.
Por mbi domethënien e këtij solemniteti, të ndjekim reflektimin e kardinalit Frensis Arinze, prefekt i Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve:

Përgjigje: -_ Shoqëria e Shenjtorëve është bashkimi i të gjithë atyre që besojnë në Krishtin: atyre që tashmë kanë arritur në shtëpinë qiellore; atyre që janë ende në Purgator e atyre që vijojnë shtegtimin mbi tokë. Është Kisha e parë në tri stinë: në stinën e shtegtarëve mbi tokë; të atyre që kanë arritur në Purgator e që, edhe pse tani për tani vuajnë, janë të sigurtë se do të shkojnë më pas në qiell; e në stinën e fatlumëve, të cilët tashmë janë në shtëpinë qiellore. Kremtimi i 1 nëntorit na kujton vëllezërit e motrat tona që kanë arritur në qiell, që janë me Zotin e mund ta shikojnë Hyjin, ashtu si është e përgjithmonë.
 
Pyetje: - Ç’ duhet të kuptojmë me shprehjen ‘me ndërmjetësinë e shenjtorëve?

Përgjigje: - Shenjtorët në qiell mund të luten për ne. Në se, për shembull, Shën Atë Pio mund të lutej për ne kur ishte në tokë, aq më tepër mund ta bëjë këtë tani që është në qiell. E këtë mund ta themi për të gjithë ata që gëzojnë pamjen e Hyjit, duke nisur pikërisht nga Zoja e Bekuar e duke vijuar me engjëjt e shenjtorët. Ata, pra, luten për ne, ndërmjetësojnë për ne, për besimtarët, për famullitë, për dioqezat, për mbarë Kishën. E në këtë kuptim, themi se shenjtorët luten për ne e se secili nga ne ka shenjtin e vet pajtor. E është mirë të merret emri i ndokujt që është në qiell, si pajtor i shenjtë.

Pyetje: -Të gjithë jemi të thirrur të bëhemi shenjtorë, po si mund ta kuptojmë këtë thirrje universale për shenjtëri?

Përgjigje: - Shenjtëria është përmbushja e dashurisë. Kush ka më shumë dashuri për Hyjin e për të afërmin, ai është shenjt. Kështu e përkufizon Koncili II i Vatikanit. Thirrja për shenjtëri nuk u përket vetëm të zgjedhurve; është thirrje universale, që u drejtohet të gjithëve. Kështu na mëson Koncili në Dokumentin ‘Lumen Gentium’, e kështu propozon Kisha: t’u përngjasim shenjtorëve në situata, kohë e fusha të ndryshme të jetës. Ndërmjet tyre ka klerikë, e ne e dimë se janë të shumtë, si Toma i Akuinit, Gjon Bosko, Gjon Vianei; pastaj rregulltarë si Shën Benedikti, Shën Bernardi e tri Terezat ( Tereza e Avilës, Tereza e Krishtit Fëmijë e Tereza e Kalkutës). Por ka edhe laikë: mjafton të mendojmë për Tomas Moron, Karlo Luangën, Maria Goretin (martire në moshën 11 vjeçe), Luigj e Maria Beltramin Quatroki (bashkëshortë të lumnuar), Berta Molën e sa e sa të tjerë. Zbulesa e Shën Gjonit Apostull na kujton 144 mijë; një numër që nuk mund të përcakohet më: njerëz të çdo populli, të çdo kulture e të çdo kombi, që këndojnë këngën e re të Qengjit të Hyjit, të Krishtit shpërblyes. Është thirrje për të gjithë neve.
  
Pyetje: - Edhe ju, Hirësi, duhet të keni Shenjtin tuaj pajtor, të cilit i luteni më shpesh për ndërmjetësim?

Përgjigje: - Pa dyshim. Pajtorët e mi më të dashur janë Shën Françesku i Asizit e Shën Françesk Saveri, sepse me këtë emër jam pagëzuar e jam krezmuar. Natyrisht të gjithë shenjtorët janë të mëdhenj, por këta të dy janë posaçërisht të dashur për mua, pse mbaj emrin e tyre e pse eci në gjurmët e tyre. Por jam shumë i lidhur edhe me të Lumin Çiprian Mikel Tanci, meshtarin nigerian që më pagëzoi, me të cilin u rrëfeva për herë të parë, nga duart e të cilit mora Kungimin e parë: isha xhakoni (ministranti) i tij në vitin 1945 e Papa Gjon Pali II e shpalli të lum pikërisht në dioqezën e vet, në vitin 1998. Sigurisht nuk mund të jem indiferent ndaj një figure të tillë, me të cilën më lidhin aq shumë kujtime, që më ftojnë të ec pikërisht në rrugën e shenjtërisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.