2007-11-01 17:08:16

Nesër, përkujtimi i të gjithë besimtarëve të vdekur.


(01.11.2007 RV)Në sa Dita e të Gjithë Shenjtorëve perëndon, përgatitemi për nesër, dita e përkujtimit të të vdekurve, kur do të nisemi simbolikisht për një shtegtim, sa të dhimbshëm, aq festiv: shtegtim drejt varreve të të dashurve të vdekur, po edhe drejt varreve të gjithë njerëzve që e kanë paguar me jetë besnikërinë ndaj idealeve të mëdha në rrjedhë shekujsh e në kohët tona. Me këto ndjenja përulemi realisht e simbolikisht mbi varret e panumërta, të përhapura në mbarë planetin, të vjetra e të reja, varre martirësh e besimtarësh të thjeshtë, njerëzish të shquar e të panjohur, nënash e baballarësh, vëllezërish e motrash. Përkulemi me lutje në buzë e me lot në sy për të dashurit që më s'janë.
Por, duke u ndodhur në vendet që të ngjallin një trishtim të thellë, nuk harrojmë se kjo ditë për Kishën është një ditë e madhe feste. Ata që nuk i kemi më pranë, që pushojnë në paqe nën kryqat simbolikë, na kanë treguar me jetën e tyre se sa e frytshme është fara që Krishti erdhi për ta hedhur në tokë. E në këto ditë, kur flitet kaq shumë për vdekje e të vdekur, kur njerëzimi dridhet për të sotmen e të ardhmen e vet, Dita e të vdekurve na kujton, më shumë se kurrë, se bota nuk është në dorë të njeriut, por në dorë të Zotit!







All the contents on this site are copyrighted ©.