2007-11-01 17:18:45

Kardinali Saraiva Martins: Shenjtorët nuk janë heronj, por njerëz si ne, që e kanë marrë seriozisht Ungjillin.


(01.11.2007 RV)RealAudioMP3 Të gjithë njerëzit – tha sot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot – janë të thirrur të bëhen shenjtorë. Po si mund të arrihet kjo maje, tepër e lartë për çdo jetë njerëzore? Kësaj pyetjeje i përgjigjet kardinali Zhoze Saraiva Martins, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Shenjtorët nuk janë heronj, nuk janë qenie të jashtzakonshme, por njerëz të zakonshëm, si gjithë neve. U bënë shenjtorë, vetëm sepse e morën seriozisht Ungjillin, e jetuan thellësisht, e dëshmuan; e duke vepruar kështu, u bënë vërtetë të jashtzakonshëm, u bënë shenjtorë. Ajo që dua të nënvizoj është se shenjtorët janë njerëz normalë, madje edhe me të meta e gabime. Por këto gabime e të meta arritën t’i ndreqin, të ndriçuar nga drita e Ungjillit, duke e jetuar Shkrimin Shenjt fjalë për fjalë e duke e dëshmuar ditë për ditë me besnikëri të jashtzakonshme. Është e qartë se kur flasim për shenjtëri, nuk e kuptojmë atë si diçka që i kundërvihet njeriut, si diçka të përgjithshme, abstrakte, që mendja jonë nuk mund ta përfshijë. Absolutisht jo! Shenjtëria, sipas kuptimit të saj të vërtetë e biblik, nuk është tjetër veçse përsosuri: pra mund të themi me plot gojën se shenjt është njeriu i përkryer, njeriu që ka arritur të bëhet një me Zotin, i cili është pikërisht i përkryer.

 Pyetje: - Si mund ta ndjekim shembullin e shenjtorëve?

 
Përgjigje: - Mund t’i ndjekim gjurmët e shenjtorëve, mbi të gjitha, duke njohur jetët e tyre, sepse kështu njohim edhe vështirësitë që hasën e rrugën që përshkuan për t’i kapërcyer këto vështirësi, duke u frymëzuar pikërisht nga Ungjilli. Të ndjekësh shembullin e shenjtorëve, do të thotë të ecësh në gjurmët e tyre, të përpiqesh me të gjitha forcat për t’u përngjarë. Prandaj kisha e kremton çdo vit festën e Gjithë Shenjtorëve. Kjo ka rëndësi të jashtzakonshme, sepse shenjtorët nuk janë kurrë larg nesh. I kemi gjithnjë pranë, janë shokë udhe me ne, në sa vijojmë shtegtimin mbi tokë. Na prijnë e na ndriçojnë, kur përshkohemi nëpër terrina. Prandaj ne duhet të jemi zëri i shenjtorëve mbi tokë; e duhet t’i kujtojmë gjithnjë në çaste të vështira, që nuk mungojnë kurrë në jetën e secilit nga ne. Shenjtorët janë gjithnjë pranë nesh e këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë. Na ngushëllon shumë ky mendim, ne, që jemi shtegtarë mbi tokë, mbasi na siguron se atje lart, në qiell, kemi shumë vëllezër që patën të njëjtën besojmë, që praktikuan të njëjtën fe, që nuk na harrojnë, por na kujtojnë gjithnjë para fronit të Hyjit, që luten e ndërmjetësojnë për ne e për nevojat tona. Kjo është vlera e devocionit që kemi për Shenjtorët!







All the contents on this site are copyrighted ©.