Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot të të Gjithë Shenjtorëve: “Shenjtëria nuk është
privilegj për pak të krishterë, por detyrë për të gjithë njerëzit”.
(01.11.2007 RV)Shenjtëria nuk është
privilegj vetëm për të krishterët ose vetëm për heronjtë e krishterimit, por është
detyrë për të gjithë njerëzit. Këtë pohoi sot Benedikti XVI gjatë lutjes së Engjëllit
të Tënzot të solemnitetit të të Gjithë Shenjtorëve, përballë mijëra shtegtarëve, ardhur
nga mbarë bota në Sheshin e Shën Pjetrit, pa marrë parasysh shiun, që vijoi gjatë
gjithë Lutjes. Papa kujtoi se në fillimet e krishterimit, anëtarët e Kishës quheshin
edhe ‘shenjtorë’ dhe nënvizoi se i krishteri, si i tillë, është tashmë shenjt, sepse
pagëzimi e bashkon me Jezusin e me misterin e Pashkëve të Tij, por njëkohësisht edhe
duhet të bëhet shenjt, duke u njësuar gjithnjë më shumë me Krishtin. “Nganjëherë
mendohet se shenjtëria është privilegj që u përket vetëm pak të zgjedhurve. Në të
vërtetë, të bëhesh shenjt është detyrë e çdo të krishteri, madje mund të themi, e
çdo njeriu! Shkruan Apostulli se Zoti na bekoi me çdo bekim shpirtëror e na zgjodhi
në Krishtin, që të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij në dashuri” (Ef.1, 3-4).
Prandaj të gjithë njerëzit janë të thirrur për shenjtëri, gjë që në fund të fundit
do të thotë të jetosh si Bir i Hyjit, në shembëllim me të, ashtu si u krijuam”. Të
gjitha qeniet njerëzore – vijoi Ati i Shenjtë – janë bij të Hyjit, e të gjithë duhet
të bëhen ç’ janë, përmes rrugës kërkuese të lirisë. Prandaj Hyji i fton të gjithë
të bëjnë pjesë në radhët e popullit të tij shenjt. Rruga është Krishti, Biri, Shenjti
i Hyjit: askush nuk shkon tek Ati, posë nëpër Të”. Më pas Benedikti XVI kujtoi
se Kisha i ka vënë, me urti, njëra pas tjetrës festën e Gjithë Shenjtorëve dhe Përkujtimin
e të gjithë besimtarëve të vdekur: “Atyre nesër do t’ia kushtojmë posaçërisht
lutjen tonë e për ta do të kremtojmë Flijen Eukaristike. Në të vërtetë, çdo ditë Kisha
na fton të lutemi për ta, duke ofruar edhe vuajtjet e mundimin e përditshëm, me qëllim
që, plotësisht të pastruar, ata të mund të pranohen për të gëzuar në amshim dritën
e paqen e Zotit”.Papa i ftoi të krishterët t’ia besojnë veten Virgjërës Mari,
që shkëlqen mes bashkësisë së shenjtorëve. “Duke shtrënguar dorën tonë në të
sajën, e ndjejmë se mund të ecim më me zell në rrugën e shenjtërisë. Asaj ia besojmë
djersën tonë të përditshme e po asaj i lutemi edhe për të dashurit tanë të vdekur,
me shpresën se një ditë do të jemi të gjithë së bashku, në shoqërinë e lumnueshme
të shenjtorëve”.