2007-10-30 18:17:56

Njoftim për Koncistorin e 24 nëntorit lidhur me krijimin e 23 kardinajve të rinj. Intervistë me imzot Komastrin: karriera e vetme është Parajsa.


(30.10.2007 RV)RealAudioMP3 Zyra e Kremtimeve Liturgjike Papnore publikoi dje njoftimin për Koncistorin e zakonshëm publik, që do të mblidhet nga Papa më 24 nëntorin e ardhshëm në tremen e Bazilikës së Vatikanit, për krijimin e 23 kardinajve të rinj. Ndërmjet tyre është edhe kryeipeshkvi Angjelo Komastri, kryeprift i Bazilikës së Vatikanit, drejtor i Fabrikës së Shën Pjetrit e vikar i Papës për Qytet-Shtetin e Vatikanit. Në mikrofonin e Radios sonë shpreh emocionet e thella, duke na shpjeguar si e pret këtë ngjarje të madhe për të e për mbarë Kishën:

Përgjigje: - Me emocion të madh e me merak të madh, sepse edhe emërimi kardinalor është thirrje nga ana e Zotit; e përballë thirrjeve të Hyjit, të gjithë jemi të padenjë e të papërgatitur. I lutem atij të Lumit, me ndërmjetësinë e Virgjërës Mari, të më japë hirin për t’iu përgjigjur asaj që pret nga unë Ati i Shenjtë, në mënyrë që vogëlsia ime të jetë vërtetë në dispozicion të karizmës së tij, si pasardhës i Shën Pjetrit e kryebari i Kishës universale. E kjo, sepse detyra e kardinalit është pikërisht të bashkëpunojë me Papën me të gjitha forcat, në mënyrë që karizma e Papës të ndriçojë në Kishë e të jetë vërtetë në shërbim të unitetit për mbarë Kishën.

Pyetje: - A do të ndryshojë jeta juaj, pasi të jeni lartuar në dinjitetin e kardinalit?

Përgjigje: - Jeta ime mbetet ajo që ishte. Është jetë e vënë në shërbim. Kardinalati nuk e ndryshon jetën, kardinalati të impenjon të japësh më shumë, të impenjon, në se mund të shprehemi kështu – ta jetosh me heroizëm më të madh thirrjen tënde.

Pyetje: - Ka njerëz që mendojnë se kardinajtë janë princat e Kishës, larg popullit të Zotit. Ju ç’mendoni?

Përgjigje: - Do të desha ta korrigjoj këtë mendësi. Edhe këto ditë, më se një herë kam dëgjuar të më thonë: “Bëre karrierë!”. Më është dashur t’i korrigjoj, duke i sqaruar se në Kishë nuk ekziston karriera: ajo që mendohet si karrierë, s’është tjetër veçse thirrje për të shërbyer. E vetmja karrierë në Kishë është karriera e Parajsës. Në se nuk arrin atje, atëherë ke dështuar, sepse ky është qëllimi kryesor i jetës. Gjithçka tjetër është thirrje për shërbim: thirrje për ta shkrirë jetën në shërbim të Ungjillit, sepse është e vetmja e mirë e jetës; thirrje për t’i shërbyer Jezusit, sepse është e vetmja shpresë; thirrje për t’i kumtuar botës se Shëlbuesi është një i vetëm. Edhe kardinalati shërben për këtë e vetëm për këtë.

Pyetje: - Shkelqësi, kardinali vishet me rroba ngjyrë purpuri. Ç’ simbolizon kjo ngjyrë, që të kujton gjakun?


Përgjigje: - Po ju a shpjegoj me fjalët që kam shkruar në ftesën për kremtimin e 24 nëntorit të ardhshëm: “U kërkoj të gjithëve – e në këto fjalë është edhe shpjegimi - dhuratën e një lutjeje, që purpuri të mos shprehë skuqjen nga turpi sepse nuk e kam dashur Jezusin me gjithë zemrën time, me gjithë jetën time. Uroj, ndërkaq, që të shënojë për mua fillimin e një përkushtimi të ri e bujar në shërbim të Ungjillit, deri në dhurimin e gjakut. Ja, pra, ky është kuptimi i veshjes së kuqe: të mësosh çdo ditë nga Maria mësimin e besnikërisë së përvujtë, të heshtur, fisnike ndaj Jezusit.

Pyetje: - Duke u bërë kardinal, ju do të lidheni edhe më ngushtë me Atin e Shenjtë. Benedikti XVI sapo ka mbushur dy vjet e gjysëm në shërbim papnor. Ç’mendoni për tiparet kryesore të kësaj papnie?

Përgjigje: - Mua më duket, ndonëse është e vështirë të jap një vlerësim ose të bëj një lexim të ndërlikuar të kësaj papnie, se Ati i Shenjtë Benedikti XVI pëlqen rolin e mësuesit, atij që jep mësim, që prin duke kujtuar të vërtetën, sepse e vërteta nuk është diçka që ne mund ta përdorim ashtu si dëshirojmë. Shën Pali thotë se ne nuk jemi padronë të së vërtetës, po shërbëtorë të së vërtetës. Papa Benedikti XVI më duket se e ndjen këtë në mënyrë të jashtzakonshme. Askush në Kishë nuk është zot i së vërtetës, por shërbëtor i së vërtetës e Benedikti XVI na e kujton këtë orë e çast, përmes një mësimi metodik, të përhershëm, të urtë e të thellë. Besoj se për këtë Kisha duhet t’i jetë pambarimisht mirënjohëse.








All the contents on this site are copyrighted ©.